Një ditë para protestës, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i është drejtuar shqiptarëve me një thirrje në rrjetin social “Tik-Tok”. Ai u kërkoi qytetarëve të reflektojnë dhe të marrin pjesë në tubimin e së shtunës, pasi për Berishën kjo është një protestë për rroga më të mira, vende pune, çmime më te ulëta dhe shërbime cilësore në çdo fushë.
Berisha: Të dashur miqtë e mi të Tik-Tokut, në prag të protestës madhështore të 12 nëntorit, dëshiroj t’ju ftoj të reflektoni! Në rast se ju ndiheni të kënaqur, me drejtimin që po ecën Shqipëria, me mundësitë që ajo ofron, me arsimimin, me rrogat, çmimet.. Ju nesër edhe mund të qëndroni në shtëpitë tuaja, por në rast se jeni të pakënaqur me të gjitha këto, dhe ndiheni të pafuqishëm për të bërë ndryshimin që doni, ju ftoj të bashkoheni nesër në protestën e madhe të qytetarëve shqiptarë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Prania juaj në protestë nuk është një akt partiak, pjesëmarrja juaj është një dalje Zot për të ardhmen tuaj, por edhe vendin tuaj i cili ndodhet në rrezik. Në vitet ’90 unë bashkë me moshatarët tuaj, kryem detyrat tona, ndaj vetes kombit dhe Shqipërisë. Tani është radha juaj, t’i dilni zot vetes! Të ardhmes tuaj dhe të Shqipërisë ndaj dhe një herë ju ftoj të shihemi nesër në ora 16:00.