Autoritetet në qytetin brazilian të Rio de Janeiro kanë shpallur një emergjencë shëndetësore, për shkak të përhapjes masive të “etheve denge”.
Incidentet e sëmundjes së shkaktuar nga mushkonjat janë katërfishuar në Brazil gjatë muajit janar krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Rio ka regjistruar 10,000 raste deri më tani gjatë këtij viti, krahasuar me 23,000 për të gjithë vitin 2023.
Dengoja mund të shkaktojë ethe, dhimbje koke të forta, dhimbje prapa syve, dhimbje muskujsh dhe kyçesh dhe skuqje me njolla.
Bashkia e Rios njoftoi se do të hapë 10 qendra trajtimi për njerëzit me këtë sëmundje virale që shkaktohet nga pickimi mushkonjave.
Daniel Soranz, sekretari shëndetësor i qytetit, tha se qëllimi ishte të zvogëlohej numri i rasteve serioze dhe vdekjeve të shkaktuara nga infeksioni.
Zyrtarët shëndetësorë kanë kërkuar gjithashtu që njerëzit të parandalojnë pickimin nga mushkonjat duke aplikuar ilaçe në lëkurë.
Ministrja e Shëndetësisë e Brazilit, Nísia Trindade, u ka kërkuar njerëzve të sigurohen që të kontrollojnë shtëpitë e tyre dhe të heqin qafe çdo ujë të ndenjur, ku rriten mushkonjat që transmetojnë dengën.
Dezifektimi po bëhet në disa nga zonat më të prekura, përfshirë vendet ku shkollat e famshme të sambas në Rio organizojnë karnavalet.
Top Channel