Rritet kurioziteti dhe ankthi sigurisht mbi listën e lojtarëve me të cilët Shqipëria do të përfaqësohet në dy takimet e fundit të kualifikueseve të Kupës së Botës.
Paraditen e të premtes FSHF do të publikojë listën e kuqezinjve të cilët do të jenë në dispopzicion të stafit teknik për ndeshjen kundër Andorës në datë 13 nëntor dhe atë kundër Anglisë më 16 nëntor.
Tekniku i kombëtares nuk është njeri i surprizave të mëdha, e gjasat janë që kështu të ndodhë këtë të premten sa i takon emrave të futbollisteve që ai do të ketë nën armë për dy ndeshjet jetike për blindimin e vendit të dytë në grup, që na sigurojnë fazën Play OFF.
Porta do të vazhdojë të jete pronë e Tomas Strakoshës, ndërsa në mbrojtje për fat të mirë ndryshe nga duelet e tetorit do të ketë bonus rikthimin në formë të Ardian Ismajlit, përveç kapiten Gjimshitit, apo Hysajt dhe Mitajt.
Në mesfushë gjithashtu asnjë risi me emra si Julian Shehu, Asllani, Ramadani, Laçi dhe Medon Berisha në dispozicion të Silvinjos.
Në krahët e sulmit Arbër Hoxha dhe Jasir Asani janë të paprekshëm dhe kësaj liste i shtohet gjithashtu edhe Nedim Bajrami, i cili nuk luan më në klub prej muajsh por është i preferuar në Kombëtare. Edhe në sulm asgjë e re. Broja, Manaj, Uzuni dhe Daku pjesë e grupit. E vetmja risi mund të jetë Abnis Mehmeti, absolutisht lojtari shqiptar më në forme ne futbollin britanik.
Golat dhe asistet e tij tek Bristol City deri më tani nuk e kanë bindur Silvinjon. Ndoshta këtë herë mund të jetë momenti i duhur për tu rigrumbulluar. Silvinjo do të shpjegojë zgjedhjet e tij të premten në orën 11:00 në daljen e zakonshme për mediat. Grumbullimi nis në Barcelonë me 10 nëntor, duke marrë në konsideratë afërsinë me Andorran, sfidë që e luajmë në transfertë 3 ditë më vonë./vizionplus.tv






