Euro është dobësuar  me ritme të forta  kundrejt lekut. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë monedha evropiane regjistroi vlerën më të ulët në tregun valutor shqiptar gjatë këtij viti  ndërsa një  euro po këmbehet  aktualisht me  100.08 lekë. Nëse bëjmë një krahasim të kursit të këmbimit euro-lek për pjesën e parë të vitit rezulton se  monedha europiane është zhvlerësuar ndaj lekut shqiptar me mbi 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Agjentët e kursit të këmbimit presin që monedha europiane të pësoj zhvlerësim të mëtejshëm në vijim. Kjo e nxitur nga flukset turistike  në vend duke marrë parasysh faktin që jemi në pikun e sezonit turistik të verës. Po ashtu të tjerë faktor që kanë ndikuar në shtimin e valutës në treg janë edhe investimet e huaja dhe shitja e pasurive të paluajtshme.

Megjithatë  ecuria e kursit të këmbimit euro-lek pritet të  ndikohet edhe nga vendimi i radhës i bankës së Shqipërisë në lidhje me normat e interesit. Ekspertët parashikojnë që në linjë me Bankën Europiane Qendrore Banka e Shqipërisë mund të ulë përsëri normën e interesit  çka mund të ndalonte disi forcimin e monedhës vendase.

Dobësimi i monedhës europiane vlerësohet si një faktor pozitiv nga Banka e Shqipërisë pasi ndikon direkt në mbajtjen nën kontroll të çmimeve të konsumit.

Kjo pasi importuesit i blejnë mallrat në monedhën europiane më lirë. Po ashtu nga kjo situatë përfiton edhe qeveria të cilës i ulen kostot e borxhit të jashtëm.

/abcnews.al