Që nga korriku i këtij viti Euocontrol ka vendosur një tarifë edhe për Aeroportin e Kukësit, shumë kjo që kalon në arkën e shtetit shqiptar për çdo avion që ulet. Bëhet fjalë për tarifën e terminalit e cila është caktuar që për Kukësin të jetë 117.84 euro.

Zona ku bën pjesë aeroporti në fjalë cilësohet si Zona 2 ndërkohë që Aeroporti i Tiranës, kryesori në vend kategorizohet në zonën 1 dhe aplikon për këtë vit një tarifë terminali prej 235.67. Në dokumentin e publikuar nga Eurocontrol thuhet se për pagesat e vonuara do të aplikohet edhe interes i cili për këtë vit është 9.67%. I njëjti njoftim bën të ditur se këto tarifa janë të publikuara edhe në Shqipëri. Fluturimet nga aeroporti i Kukësit nisën në mes të korrikut të këtij viti.

Çfarë është tarifa e terminalit

Në një shpjegim të zgjeruar të Eurocontrol tarifat e terminalit janë fatura që dërgohen nga Eurocontol çdo muaj (në mes të muajit pasues) për fluturimet që u zhvilluan në muajin paraardhës bashkë me faturën e tarifës së itinerarit. Dokumentet e faturimit tregojnë qartë shtetin për të cilin vilen këto para. Termat e pagesës për pjesën e tarifave të terminalit janë të njëjta me ato të itinerarit që aplikohen nga Eurocontrol që do të thotë 30 ditë nga data e faturimit.

Lidhur me mënyrën sesi llogariten këto tarifa, Eurocontrol sqaron se vendet anëtare përcaktojnë zonat e tarifimit për terminalet që mund të jetë një aerodrom apo disa aerodrome që lokalizohen në një vend të caktuar ku ofrohen shërbime për të cilën duhet të paguhet tarifë. Tarifat e terminalit vendosen vetëm për fluturimet që nisen dhe marrin parasysh dy elemente thelbësore. Së pari, peshën e avionit që niset dhe së dyti, njësinë e tarifës për aerodromin nga ku bëhet nisja. Rezultati që merret pasi bëhet shumëzimi i dy elementëve është vlera që paguhet për terminalin. Faktori i peshës llogaritet në ton metrike.

Aeroportet

Aktualisht Shqipëria ka në operim dy aeroporte ndërkohë që një kontratë e re parashikon ndërtimin e një të treti në Vlorë. Së fundmi është hapur gara për një aeroport të katërt në Sarandë i cili është cilësuar si sezonal dhe ndryshe nga Kukësi dhe Vlora që janë me garanci trafiku nga shteti shqiptar në këtë projekt të fundit qeveria ka vendosur të mos marrë përsipër asnjë risk por vëtëm të krijojë lehtësi për investitorin potencial.