Më 29 tetor, eurodeputeti dhe ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri bashkë me anëtarë të komisionit BE-Shqipëri do të vijnë më 29 tetor në orën 10:00 në Tiranë. Lajmin e ka konfirmuar edhe media greke “To Vima”, e cila e konsideron edhe si takimi i vitit, kjo sepse Beleri do të zhvillojë takim me kryeministrin Edi Rama në cilësinë e deputetit të Komisionit të Parlamentit Europian.
Po ashtu në artikullin grek përmendet burgosja e Belerit për 481 ditë pak ditë para zgjedhjeve në bashkinë e Himarës, ku ai u shpall fitues.
“Si e sjell vërtet jeta (dhe politika) në këtë mënyrë? Edi Rama është i detyruar ta presë këtë herë me nder ashtu siç i ka hije një të zgjedhuri të Parlamentit Europian, kur pak muaj më parë deklaroi se për qeverinë shqiptare çështja Beleri është… inekzistente. Ky kusht i vendosur nga Bashkimi Europian (me propozim të qeverisë greke) që rruga e anëtarësimit të Shqipërisë të kalojë përmes të drejtave të minoritetit grek, “e detyroi Ramën” të ndryshojë kurs. Vizioni i shqiptarëve për anëtarësim në BE shkon, në pjesën më të madhe, përmes diasporës. Madje, ky takim, siç raportojnë vëzhguesit politikë në Athinë, është një shfajësim i kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe atyre që këmbëngulën në rëndësinë e kandidaturës së Fredi Belerit në fletën europiane të Demokracisë së Re.”, thuhet më tej në shkrimin e “To Vima”
Sapo anëtarët e Komisionit të mbërrijnë në Tiranë, Komisioni do të informohet nga ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, i cili po merr pjesë në bisedimet e anëtarësimit BE-Shqipëri. Menjëherë pas kësaj vijon takimi me Edi Ramën, i cili është parashikuar të zgjasë 45 minuta. Më pas do të ketë takime me përfaqësues të partive shqiptare dhe një drekë nga ambasadorja e BE-së në Shqipëri. Menjëherë më pas do të ketë një takim me kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali dhe në ditët në vijim diskutime me komisionin e përbashkët BE-Shqipëri.