
Gjatë një seance pyetjesh në Senatin italian, Kryeministrja Giorgia Meloni u shpreh e vendosur për të çuar përpara reformat në drejtësi dhe qeverisje, si dhe mbrojti planin për menaxhimin e emigrantëve përmes qendrave në Shqipëri.
Meloni tha se reforma e Kryeministrisë është thelbësore dhe se shumica synon ta kalojë shpejt në Parlament, bashkë me reformën në drejtësi. Ajo mbështeti edhe ndryshime në ligjin zgjedhor, për të futur preferencat.
Sa i përket emigrantëve të parregullt, Meloni deklaroi se mbi 25% e atyre të vendosur në Shqipëri janë kthyer në vendet e tyre brenda javës së parë, duke e cilësuar këtë si provë që strategjia italiane po funksionon.
Kryeministrja kritikoi përpjekjet për ta bllokuar këtë plan dhe theksoi se shumë prej emigrantëve kishin kryer vepra të rënda penale. Ajo tha se qeveria italiane është e vendosur të mbrojë sigurinë dhe të zbatojë ligjin.
Meloni shtoi se propozimet e fundit të BE-së për reformën e politikës së azilit tregojnë se Italia ka pasur të drejtë që në fillim.
