Facebook po vazhdon fushatën kundër update-it të privatësisë në iOS 14 të Apple, duke shtuar një lajmërim se informacioni i mbledhur nga këto aplikacione “ndihmon në ofrimin falas të këtyre aplikacioneve”. Një mesazh i ngjashëm është parë dhe në aplikacionin Instagram për iOS.
Fillimisht këto njoftime pop-up filluan të shfaqeshin ditën e shtunë dhe Facebook i konsideron ato si “njoftime edukative” që ndihmojnë përdoruesit të kuptojnë më mirë mënyrën se si të dhënat e tyre përdoren për shfaqjen e reklamave të personalizuara.
Kërkesat më të reja nga versioni më i fundit iOS 14.5 detyrojnë developers që të përfshijnë një opsion ku përdoruesit do të vendosin vete rreth shpërndarjes së të dhënave të tyre. Nëse aplikacioni nuk e ofron këtë shërbim, atëherë ai do të konsiderohet në shkelje të rregullave të Apple.
Facebook ka qenë dhe mbetet një nga kritikuesit më të mëdhenj të këtij ndryshimi që Apple bëri, duke thënë se “bizneset e vogla” mund të dëmtohen. Tani me taktikën e re të “ofrimit të aplikacioneve falas” Facebook tenton të nxisë përdoruesit të mos e përdorin shërbimin e privatësisë të Apple në aplikacionet që ai ofron.