Policia e Durrësit ka arrestuar Dritan Memollën, një person i skeduar dhe i dënuar edhe më parë për vepra kriminale.
Memolla ka qenë i armatosur në momentin që i është bërë thirrje të ndalonte.
Ai ka tentuar të ikë, dhe në momentin e largimit ka hedhur armën në tokë, ndërsa është neutralizuar nga forcat e policisë.
Person i njohur për Policinë e Durrësit, pasi është arrestuar disa herë për vepra të ndryshme penale.
Dy vite më parë u arrestua pasi aksidentoi për vdekje një person, ndërkohë po ashtu në vitin 2018 ka shkaktuar një tjetër aksident me vdekje.
Njoftimi i Policisë:
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Background”, sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Operacioni, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët dhe inteligjencës policore.
Lëvizte i armatosur me pistoletë me fishek në fole, të gatshme për qitje, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 36-vjeçari, shtetas me rrezikshmëri të lartë për komunitetin.
36-vjeçari, me disa precedentë penal, u kap teksa levizte me këmbë, në shkelje të një mase sigurie “Arrest në shtëpi”.
Procedohen penalisht 2 shtetas (babë e bir) që shoqëronin të arrestuarin, për moskallëzim të krimit.
Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me qytetarët, si dhe nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Background”, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të Policisë, për kapjen e shtetasve me rrezikshmëri për komunitetin, që lëvizin të armatosur.
Në kuadër të këtij operacioni, u vu në pranga shtetasi D. M., 36 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas u kap në flagrancë teksa lëvizte me këmbë, në lagjen nr.15, dhe gjatë kontrollit fizik të tij, Policia i gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, të gatshme për qitje. Nga verifikimet ka rezultuar se 36-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për një aksident rrugor, me pasojë vdekjen. Gjithashtu, ky shtetas kishte precedent të theksuar penal për krime në fushën e narkotikëve. Në vijim, pistoleta dhe krehri i saj me fishekë luftarak, u sekuestraun në cilësinë e provës materiale.
Në kuadër të këtij operacioni, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit N. K., 56 vjeç dhe K. K., 22 vjeç (babë e bir), lidhje shoqërore të 36-vjeçarit, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Këta 2 shtetas shoqëronin shtetasin D. M., kur u kap nga Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.