Prej muajsh pjesëtarët e familjes Doçi përballen me grabitjen e një trualli prej 2500 metrash, nga miku i ngushtë i Taulant Ballës, Edmond Bego, për të ndërtuar një kompleks pallatesh. Leja është dhënë nga Bashkia e Tiranës, ndërsa fadromat vijojnë punën, edhe pse çështja është ende në proces gjyqësor.

Vijon zaptimi i pronës së familjes Doçi në kryeqytet për interesa personale. Prej muajsh pjesëtarët e familjes Doçi jetojnë me zhurmën e fadromave të Kompanisë së Edmond Begos, mikut të Taulant Ballës, i cili vijon qetësisht punimet për ndërtimin e një kompleksi pallatesh, në tokën ku vëllezërit Aleksandër e Zef Doçi janë pronarë, ndërsa Bashkia e Tiranës ka aprovuar lejen për ndërtimin e pallateve.

Krahas problematikës me pronën, kësaj here vëllezërit Doçi, kanë treguar se policia sipas tyre po shkel haptazi ligjin duke favorizuar mikun e Taulant Ballës, ndërsa seancat gjyqësore vijojnë të zvarriten.

Edhe projekti i Unazës së Madhe është devijuar duke spostuar Lumin Lana, çka rrezikon shembjen e qindra banesave, pikërisht për të shpëtuar kompleksin e pallateve të mikut të Ballës.  

Edmond Bego, njihet në Shqipëri si biznesmen i suksesshëm në fushën e ndërtimit dhe me mbështetje të madhe politike, ndërsa në Itali rezulton i dënuar për trafik ndërkombëtar droge. I njohur për miqësinë e ngushtë me Taulant Ballën, Bego, ka futur duart edhe në fondet publike, ku sipas disa dokumenteve të publikuara nga opozita ka marrë të paktën 14 milionë euro nga tenderat e shtetit, pavarësisht se ligji shqiptar i ndalon një të dënuari për trafik droge të marrë pjesë në tendera publikë./syri.net