Mediat italiane kanë publikuar emrat e 4 shqiptarëve që humbën jetën në një aksident tragjik mbrëmjen e së dielës në Reggio Emilia. Sipas asaj që shkruajnë mediat, viktimat janë Shane Hyseni, 22 vjeçe, djali i saj, Mattias Lame, 2 vjeç si dhe motra e vëllai i 22-vjeçares, Rejana Hyseni, 8 vjeçe dhe Resat Hyseni, 11 vjeç. Nga kjo ngjarje e rëndë ka mbetur i plagosur partneri i 22-vjeçares, një 30-vjeçar, i cili drejtonte makinën tip “Fiat”. Ai është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Deri më tani është mësuar se shoferi ka humbur kontrollin e makinës dhe është përplasur me murin e një shtëpie të pabanuar.
Siç duket edhe nga pamjet, përplasja ka qenë fatale. Dëmtimet kanë qenë të shumta, ndërsa mediat raportuan se iu deshën disa orë për të nxjerrë trupat e pajetë dhe makinën. Mediat shkruajnë se situata në vendin e ngjarjes ka qenë shumë e trishtë. Disa prej zjarrfikësve që u është dashur të nxjerrin nga mjeti trupat e pajetë nuk kanë mbajtur dot lotët përballë asaj që kanë parë. Ka qenë shumë e vështirë për ta, pasi makina tip “Fiat” kishte pësuar dëme të mëdha.
Operacioni për lëvizjen e mjetit ka zgjatur disa orë. Ndërkohë pasojat e tragjedisë dukeshin kudo. Në tokë ishin vendosur 4 çarçafë të bardhë. Një prej tyre shumë i vogël. E gjithë qetësia u thye nga dy zëra. Dy të afërm, që mbërritën në vendin e ngjarjes, u paralajmëruan nga forcat e kërkim-shpëtimit. Fillimisht një burrë… Sapo pa çarçafët u ul në gjunjë dhe nisi të bërtiste: Çfarë ka bërë ai?
Pak pas tij shkoi një grua, e cila do të dëshmonte tragjedinë më të madhe të jetës. Nga ai aksident i ishin shuar 3 fëmijët dhe nipi. Dhimbja e saj ishe e papërmbajtshme. Është dashur ndërhyrja e mjekëve të urgjencës të cilët e kanë dërguar në spital pasi ajo ka qenë në gjendje të rëndë dhe nuk qëndronte dot në këmbë. Tragjedia ndodhi mbrëmjen e së dielës në afërsi të Parmës. Sipas informacioneve të deritanishme, mjeti ku udhëtonin 5 personat u përplas me një shtëpi të pabanuar. Deri më tani mbeten të paqarta shkaqet e aksidentit të rëndë.
Ardian dhe Anjeza Hyseni u shpërngulën para shumë vitesh nga Sukthi drejt Italisë për një jetë më të mirë. Prindër të katër fëmijëve, ata vendosën që jetën e tyre ta ndërtonin në shtetin fqinj, në qytetin e Firences.
Mbrëmja e së dielës ishte tragjike për ta. Tre nga katër fëmijët humbën jetën në aksidentin tragjik në Reggia Emilia, ku vdiq dhe nipi i tyre vetëm 2 vjeç.
Shane A. Hyseni, 22 vjeçe
Rejana A. Hyseni, 8 vjeçe
Resat A. Hyseni, 11 vjeç
Mattias Lame (djali i Shanes), 2 vjeç
Fëmija i vetëm i mbetur gjallë në familjen Hyseni, D. Hyseni, aktualisht 18 vjeç, po gjendet pranë dy prindërve, të cilët si pasojë e tronditjes janë detyruar të marrin ndihmë mjekësore.
Sipas asaj që kanë shkuar mediat, Anjeza Hyseni ka shkuar në vendin e ngjarjes pas ngjarjes. Ajo është dërguar në spital pasi ka dëshmuar vdekjen e 3 fëmijëve dhe nipit. Tragjedia ndodhi gjatë mbrëmjes së të dielës (30 Tetor 2022). Katër viktimat udhëtonin në një makinë tip Fiat së bashku me Orjol Lamen, 30 vjeç, partneri i 22-vjeçares. Ai është i vetmi i mbijetuar i aksidentit. 30-vjeçari është dërguar në spital ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet që ai të ketë humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë ka përfunduar duke u përplasur me murin e një shtëpie të pabanuar. Mediat italiane shkruajnë se po vijojnë hetimet për të përcaktuar dinamikën dhe shkaqet e plota të kësaj ngjarje të rëndë. /Klan news