Anëtari i Kryesisë, Fatbardh Kadilli kërkon distancimin e Sali Berishës nga Partia Demokratike pas kërkesës së ambasadores së SHBA ndaj Bashës që ai mos futet në parlament në shtator.
I ftuar në një lidhje live në rubrikën ‘’Opinion’’, Kadilli thotë se PD duhet të jetë e pastër dhe të shkëputet nga trashëgimia e saj, pasi nuk është vetëm krenari, pork a dhe problematika.
Ai thotë se është koha që kryetari aktual i PD të mbajë qëndrim dhe përgjegjësi edhe pse sipas Kadillit, Basha dhe Berisha janë viktima të njëri-tjetrit.
Kadilli shton se tashmë duhet një opozitë e re e cila nuk e ka të domosdoshme Berishën, pasi si me apo pa të do të ketë PD sërish.
“Çështja është shumë komplekse, përfshin emocione, qëndrime politike. Ajo çfarë i ka munguar PD është mungesa e qartësisë së lidershipit për të krijuar një opozitë të re larg lidershipit të vjetër.
Të kemi një opozitë të re ndaj çdo trashëgimi që na mban peng. Është një situatë aspak e këndshme për çdo demokrat apo shqiptar. Asnjë demokrat nuk ndihet mirë për shpalljen non-grata të Berishës. Duhet të kishim qartësi.
Arrijmë në pikën që të vijë në formë presioni kërkesa dhe mos ketë kurajo lideri i sotëm dhe të bëjë sikur çështja nuk ekziston, është e turpshme. Do të jetë e turpshme të bëjë gjeste sakrifikimi për karrigen e tij,” tha Kadilli.