Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend, këtë të hënë ka dhënë detaje në lidhje me kategoritë që do të përfitojnë nga statusi i fëmijëve në kujdesin  e Republikës.

Rama është shprehur se duke filluar nga janari, tashmë do të kemi dyfishim të mbështetjes së trajtimit financiar për këto kategori.

Kreu i qeverisë ka bërë me dije se pjesë e këtij statusi do të jenë fëmijët e mjekëve të rënë në krye të detyrës në kohën e pandemisë dhe për të gjithë fëmijët e tjerë të personave që kanë humbur jetën në detyra për ndihmë në rastet e fatkeqësive natyrore.

“Duke nisur nga janari të gjithë nënat me tre ose më shumë fëmijë me skemën e ndihmës ekonomike do të përfitojnë dyfishin e ndihmës ekonomike, ashtu si vajzat dhe gratë e trafikuara dhe të dhunuara. Ashtu edhe nënat me fëmijë me aftësi ndryshe dhe jetimët, këtyre u shtohet edhe një tjetër kategori, për statusin fëmijë në kujdesin e republikës. Një nismë që mishëron një ambicie dhe materializon një qasje të vazhdueshme të shumicës qeverisëse në raport me ato që ndihen më të dobët.0
Me votën e sotme kuvendi do të përcaktojë një status të ri, për të gjithë fëmijët apo personat nën kujdestari të dëshmorëve të atdheut, mjekëve de infermierëve që kanë humbur jetën si rezultat i pandemisë në krye të detyrës, të personave që kanë humbur jetën në krye të detyrës për mbajtjen e pronës, të shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën si pasojë e kryerjes së ndihmës në kushte të emergjencës. Shteti do të marrë në kujdes të veçantë fëmijët e këtyre kategori prindërish për të lehtësuar përballimin e një vijueshmërie jete. Statusi fëmijë në kujdesin e republikës, përfitohet nga fëmijët deri në 18 vjeç dhe nëse ndjek shkollën e lartë deri në 25 vjeç.

Në një proces qeverisës në çdo hap të rritjes së mundësive për njerëzit në nevojë ne do të rrisim masën për mbështetjen e tyre, do të kishte qenë shumë mirë që atë që bëjmë sot ta bënim më parë, dhe atë që mund ta bëjmë nesër ta bënim sot por çdo gjë varet nga mundësitë”, ka thënë Rama.

Ndër të tjera kryeministri Rama ka theksuar se këto fëmijë do të marrin gjithashtu mbështetje dhe në trajtimet falas në shëndetësi.

“Të gjithë fëmijët që kanë humbur një prind në krye të detyrave kombëtare do të kenë gjithashtu trajtim falas në shërbimet mjekësore. Personi që merr këtë status ka një sërë të drejtash të tjera të natyrës simbolike dhe morale dhe përtej këtyre të drejtave dhe çdo aftësie të veçantë për të përthithur të tjera të ardhura ai vazhdon merr deri  në moshën madhore apo përfundon studimet e larta trajtimin financiar në bazë të pagës së prindit, në atë fazë që paga ishte më e larta dhe jo mesatarja. I ftoj të gjithë deputetët ta votojnë unanimisht këtë ligj, sepse është në nderin e secilit prej tyre si deputet dhe detyrimin si prind, motër dhe vëlla”, është shprehur ndër të tjera kryeministri. /abcnews.al