Bujqit dhe blegtorët shqiptarë nuk do të përfitojnë më para’ për naftë nga qeveria. Ndonëse ishte masa më e kërkuar nga fermerët, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka vendosur ta heqë nga skema mbështetëse për këtë vit. Kjo në një kohë toka pret të punohet dhe çmimi i karburanteve po prek nivele rekord.
“Mbështetja për fermerët e cila është pjesa e naftës që ju mendoni është ulja e kostove. Dhe ne në uljen e kostove… këtu janë paratë në të gjithë këtë skemë… përveç se janë rrit nga qeveria shqiptare nga 4.6 në 5.2, sot është në një masë tjetër ku të gjithë fermerët përfitojë, pa përjashtuar askënd”, deklaroi ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla.
Heqja e naftës vjen në një kohë që çmimet e plehrave kimike thuajse janë dyfishuar duke pamundësuar blerjen e tyre nga bujqit.
“Do të diskutojmë bashkë me Autoritetin e Konkurrencës për këtë temë që ju shqetëson juve, fermerët por edhe ne”, u shpreh Andis Salla.

Fondi total për skemën kombëtare në bujqësi dhe blegtori këtë vit do të jetë në vlerën 5.2 miliardë lekë. Për herë të parë në masat mbështetëse janë përfshirë derrat. Mbarështimi i tyre do të subvencionohet me 7 mijë lekë për fermat me mbi 5 dosa. Ndërkohë janë rritur lehtë masat mbështetëse për mbarështimin e lopëve, të imtave… financimi i bletarisë, bimëve medicinale dhe fermave organike. Ndërkohë janë përgjysmuar kushtet për të përfituar.
“Është një skemë që do ta prezantojmë sot dhe kush janë pikat të cilat ne kemi vendosur së bashku me stafin për atë çfarë kemi dëgjuar realisht nga fermerët, duke e përshtatur atë në buxhetin i cili është akorduar nga qeveria shqiptare. Do të mbështesim të gjitha aplikimet apo projektet të cilat janë investimet në sera, pemë frutore, vreshta, stalla, mekanikë bujqësore, linja e përpunimit të produkteve, akuakulturë detare dhe agroturizëm”, theksoi ministri.

Veç skemës në bujqësi dhe blegtori, ndryshime do të ketë edhe te ajo e investimeve. Për fermerët e rinj do të jepen deri në 10 mijë euro grant, për stanet në blegtori 3 milion lekë, ndërsa për makineritë bujqësore 500 mijë lekë.
Në ditët në vijim, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të njoftojnë edhe datën e hapjes dhe mbylljes së aplikimeve për skemën kombëtare në bujqësi dhe blegtori 2026. (A2 Televizion)
Galeria fotografike








