Mbi 68 mijë fermerë aplikuan për të përfituar subvencion në bujqësi, nga të cilët 90% e tyre kërkojnë të përfitojnë naftën pa akcizë. Të premten në mesnatë u mbyll afati për aplikimin në Skemën Kombëtare të Subvencioneve.

Qeveria ka vënë në dispozicion të fermerëve subvencione për 8 masa që do të financohen, ku përfshihet mbështetja për tufën bazë të matrikuluar/ lopë/ dele dhe dhi; mbarështimi i bletarisë; mbështetje për fara/fidanë dhe impute të tjera; mbështetje për kultivimin e bimëve aromatiko-mjekësore; mbështetje për fermat organike; certifikimi Global GAP; si dhe mbështetje me naftë për punime të mekanizuara në bujqësi.Aplikimet e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi janë hapur më 14 Prill. Ata që kanë lopë do të marrin 10 mijë lekë për krerë, ndërsa ata që mbarështojnë të imëta 1 mijë e 200 lekë. Me 1 mijë lekë do të mbështeten bletarët, ndërsa kultivuesit e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit do të marrin 200 mijë lekë për hektarë. Për bimët medicinale, mbështetja është 30 mijë lekë/ hektarë.

Sa i takon shpërndarjes gjeografike, edhe këtë vit numri më i lartë i aplikimeve është në qarqet ku bujqësia e blegtoria është më e zhvilluar, si Fier, Korçë, Berat dhe Elbasan. Fondet e vëna në dispozicion për fermerët, kanë rritur ndjeshëm formalizmin në bujqësi, pasi kushti kryesor për të përfituar është pajisja me NIPT. Këtë vit janë mbi 5,200 fermerë të cilët janë pajisur rishtazi me NIPT në tatime.