Presidenti i vendit Ilir Meta, vizitoi ditën e sotme Komitetin Mysliman nga dhe ku uroi të gjithë besimtarët dhe qytetarët e Shqipërisë për festën e Fiter Bajramit. Në fjalën e tij përpara mediave Meta shprehu vlerësim për sakrificat e bëra gjatë këtij muaji, si dhe kontributin e dhënë nga besimtarët për një shoqëri më solidare.

“Ishte kënaqësi për të uruar sot vëllezërit e komitetit tonë mysliman me rastin e festës së Fiter Bajramit, duke uruar të gjithë besimtarët, por edhe qytetarët shqiptarë, për të vlerësuar sakrificat e tyre, sidomos gjatë kësaj periudhe të vështirë, edhe për shkak të pandemisë.

Shprehim mirënjohje edhe për ndihmat që ata kanë dhënë për të sëmurët, të varfrit. Urojmë që këto sakrifica të na frymëzojnë të gjithëve për një shoqëri më solidare, më të drejtë, më njerëzore, më të bashkuar dhe më në paqe”, tha Meta.

Në fund të fjalë së tij Presidenti u pyet nga gazetarët nëse do të ishte i pranishëm në mbledhjen e Komisioni Hetimor të ngritur nga parlamenti për shkarkimin e tij. Kreu i Shteti zgjodhi ta lejë politikën mënjanë ditën e sotme dhe të fokusohej vetëm te festa duke thënë: “Vazhdojmë festën dhe mbarësi e gëzim të gjithëve.”