Festat e nëntorit sigurojnë një fundjavë të gjatë 4-5 ditore kryesisht për punonjësit e administratës publike, bankave dhe kompanive. Tashmë është kthyer në traditë që festat kombëtare të shfrytëzohen, jo për të festuar aq sa për të udhëtuar.

“Bëjnë udhëtime, pushime, jashtë vendit, gjatë festave të nëntorit”, thotë për A2 CNN Besnik Vathi, kryetar i shoqatës së operatorëve turistikë. “Pra gjatë këtyre festave ka lëvizje shumë të madhe në krahasim me gjithë periudhën e vendit”.

“Ata, më patriotë sesa ne”

Fluturimet “low cost” shihen si alternativa më e mirë për një fundjavë të gjatë. Italia, Franca, Spanja dhe Turqia janë destinacionet më të preferuara, por së fundmi listës po i shtohen edhe Abu Dhabi dhe Dubai, ku paketat që ofrohen janë tunduese për shkak të kostos që është reduktuar ndjeshëm falë fluturimeve direkte.

Destinacionet e afërta që aksesohen me autobus preferohen me shumë, sidomos në këtë periudhë që të gjithë janë prekur nga kriza e çmimeve. Operatorët turistikë shprehen se gjithnjë e më shumë po shmanget avioni dhe po preferohet autobusi si mjet transporti për të vizituar vendet e rajonit, por edhe shtete të largëta.

“Kanë preferuar të zgjedhin destinacionet jashtë Shqipërie”, thotë për A2 CNN Fiorida Zani, operatore turistike. “Më të preferuara kanë qenë destinacionet e rajonit, Mali i Zi, Maqedonia. Por gjithashtu nuk kanë mbetur pas as qytetet e mëdha europiane, që janë detinacione gjithmonë të kërkuara”.

Krizë pas krize, me pandeminë në mes, operatorja turistike Fiorida Zani, shprehet se shqiptarët po mendohen dy herë përpara se të udhëtojnë. “Të themi realitetin, një rënie të vogël ka pasur në krahasim me vitet para pandemisë. Sepse këto vite pothuajse nuk i llogarisim fare”, thotë ajo.

Ndërsa shqiptarët e Shqipërisë largohen nga vendi për festat e çlirimit dhe pavarësisë, shqiptarët e Kosovës i rrinë sërish besnikë shtetit amë, edhe me një vizitë dyditore në qytetin e flamurit. Operatorët turistikë i cilësojnë shpesh si patriotë të vërtetë. “Po shohim agjenci nga Kosova që kanë qejf t’i festojnë këto festa, që janë kombëtqare, në Shqipëri, në Vlorë. Ndoshta ata janë më pak patriotë se ne, le të themi”, thotë Zani.

Çmimet e biletave dhe paketave nuk janë shumë të larta në këtë periudhë të vitit, ndërsa tur-operatorët paralajmërojnë se sa më shumë të afrohen datat e udhëtimit, aq më shumë duhet të paguajnë të interesuarit. I njëjti fenomen shoqëron festat edhe në hotelet dhe resortet brenda vendit.

Nga Budva, në Abu Dhabi

Për ditën e pavarësisë në Stamboll, apo për festën e çlirimit në Mynih. Destinacionet e preferuara nga shqiptarët për festat e nëntorit shtrihen, sipas jorganit, nga rajoni në Europë dhe së fundmi edhe në Abu Dhabi dhe Dubai.

Paketat që ofrojnë operatorët turistikë variojnë në ofertë, duke nisur nga lloji i transportit, ditët e qëndrimit dhe lehtësitë e përfshira në paketë, që kryesisht konsistojnë në dhomën e hotelit dhe mëngjeset.

Për fundnëntorin, sipas të dhënave të agjencive për A2 CNN, destinacionet më të preferuara nisin me një çmim pakete prej 55 euro për dy ditë në Strugë dhe Ohër, për të vijuar me 3 ditë në Budva dhe Kotor për 119 euro; Milano dhe Romë nga 299 deri në 399 euro; Madrid 365 euro dhe Barcelonë 499 euro për 4 ditë. Stambolli mbetet një destinacion shumë i zgjedhur me një paketë mesatare 215 euro për 3 ditë. Ndërsa turet në Abu Dhabi, Dubai, që zgjasin 5 ditë llogariten në 599 euro për person.

Këtyre çmimeve i shtohen edhe shpenzimet për ushqim, argëtim dhe suvenire. Shpenzimet mesatare për një turist shqiptar në vendet europiane përllogariten në rreth 70 euro në ditë, ndërsa në vendet e rajonit, rreth 40 euro në ditë.

Me një llogaritje të tillë arratisja patriotike për festa, varion nga 135 euro për dy ditë me autobus në Maqedoninë e Veriut, deri në 950 euro për një pushim të gjatë në Emiratet e Bashkuara Arabe.