Një punonjës shqiptar është paguar mesatarisht me 82 mijë e 210 lekë në tremujorin e parë të këtij viti. Të dhënat publikohen nga Instituti i Statistikave, sipas së cilit paga mesatare bruto nga janari në mars është rritur me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Megjithatë vihet re një rënie me 1.43% nëse krahasimi bëhet me tremujorin e fundit të vitit të shkuar kur paga mesatare ishte 83 mijë e 401 lekë.

Pagat më të larta vijojnë t’i marrin ata që janë të punësuar në sektorët që lidhen me financat dhe sigurimit. Të majme janë rrogat edhe në sektorin e informacionit dhe komunikacionit që tradicionalisht qëndrojnë mbi mesataren kombëtare për shkak të kërkesës për aftësi të specializuara dhe ndikimit të teknologjisë.

Ashtu sikurse ishte premtuar nga qeveria, sektorët që përjetuan rritjen më të lartë të pagave ishin administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet sociale. Sipas të dhënave të publikuar nga Instituti i Statistikave paga bruto në këto institucione është rritur me 16.7%.

Referuar premtimeve të qeverisë brenda dekadës paga mesatare pritet të arrijë në 1 mijë euro ndërsa ajo minimalja në 500 euro. (A2 Televizion)