Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi në një tryezë ku u diskutua financimi i partive politike, theksoi se ligji për këto financime duhet të përmirësohet.
Kreu i KQZ-së tha se partitë politike janë ndërgjegjësuar, por sipas tij ka ende nevojë për përmirësime.
Celibashi: Theksoj se nuk e konstatoj arrogancën e partive politike për ta shpërfillur hapur atë që ka sanksionuar Kodi Zgjedhor në raport me financimin e politikë. Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi asnjë problem si parti politike në qasjen e tyre në lidhje me financimin, por duhet ta themi se të gjithë përpiqen. Ky është një hap i mirë le të themi, pasi duket sikur palët janë të ndërgjegjësuar për rëndësi që ka zbatimi i këtyre normave ndoshta edhe frikën për të mos u sanksionuar. Takimi i sotëm është episodi i parë i një serie takimesh që do të zhvillohen. Do të vazhdojmë të konsultohemi në lidhje më të gjitha ndalimet apo lejimet që Kodi Zgjedhor ka për sjelljet. Jo të gjithë e kemi të qartë se kush duhet të financojë kë, sa është vlera e financimit. Akoma nuk kemi një qartësi në lidhje me limitet dhe kufijtë që media ke në lidhje me raportimin dhe pasqyrimin e veprimtarive elektorale në tërësi
Ai deklaroi se shumica e kryebashkiakëve aktualë do të rikandidojnë në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Celibashi: Zgjedhjet e ardhshme të 14 majit, do të kenë një numër jo të vogël të kryetarëve të bashkisë të cilët aktualisht janë në detyrë dhe të cilët do të garojnë në zgjedhje. Është shumë e rëndësishme që të kuptojnë se ku është kufiri ndërmjet përmbushjes së funksionit të tyre si kryetar bashkie dhe veprimet të cilat janë pjesë e fushatës së tyre elektorale. Ne do punojmë ngushtë me partitë politike, me shoqërinë civile dhe me faktorë të tjerë. Në një moment të dytë KQZ do të përgatisë edhe një udhëzues në lidhje me këtë çështje dhe kjo jo vetëm për rastin e kryetarëve në detyrë që do garojnë, por për institucionet dhe zyrtarët publikë të cilët në një mënyrë ose tjetër do të jenë të përfshirë në situatë zgjedhore.
/Abcnews.al/