Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sërish për lajmin se PD ka marrë financime prej 500 mijë dollarë nga rusët gjatë kohës kur partia drejtohej nga Lulzim Basha. Ky i fundit sipas Berishës, është përgjegjësi kryesor dhe se ai është mbajtur peng nga qeveria për këtë dosje.
Berisha: Në vitin 2018, ambasadori Donald Lu më solli një dosje me një artikull të Mother Jones për financimin e Muzin. Në dosje përveç emrit të Muzin që ishte regjistruar si lobist, nuk kishte asnjë gjë tjetër. Lulzim Basha i pyetur nga unë, më tha se paratë e deklaruara janë të mbledhura në përputhje me të gjitha rregullat dhe se nuk ka asgjë të vërtetë.
Mes artikujt të gazetës dhe Bashës, unë besova variantin e këtij të fundit. Më vonë jam vënë në dijeni të faktit se Basha mbahej peng me dosjen Muzin. Prokurori duke shkelur ligjin nuk bëri rekurs të cështjes, unë e kam denoncuar nga foltorja në foltore dhe më vonë jam informuar se Basha kishte mashtruar dhe nuk kishte bërë mbledhje fondesh në Diasporë.
Pas këtyre informacioneve, vetëkuptohet në denoncimin tim se burimi i parave duhet të ishte ai që kishte shkruar Mother Jones. Bazuar në këto informacione, kam denoncuar financimin e Bashës dhe mbylljen e dosjes nga Rama.