Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim Rexhep Rrajën, djalin e deputetit të PS, Rrahman Rraja, pas dhunës barbare ndaj dy kushërinjve Maja në Krujë një ditë më parë.

Policia bën me dije se pas hetimeve, është identifikuar edhe Rexhep Rraja si i përfshirë në ngjarjen e rëndë dhe tashmë materialet janë dërguar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Jashar dhe Bilbil Maja u dhunuan me sende të forta nga anëtarë të fisit Rraja teksa ishin duke pirë kafe në një lokal.

Dy kushërinjtë ishin ankuar se gurorja në pronësi të kushëririt të deputetit Rrahman Rraja po u dëmtonte banesat.

Njoftimi i policisë:

DVP Tiranë

Në vazhdim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur me datë 06.07.2023, ku në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, një grup personash kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., Policia e Shtetit ka ndaluar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë.

Në vijim të veprimeve hetimore është identifikuar dhe shtetasi R. Rr., për të cilin janë dërguar materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Shtetasi R. Rr., është shpallur në kërkim policor dhe vijon puna nga shërbimet e Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.