Britania e Madhe është tashmë nën drejtimin e laburistëve.
Kryeministri i ri i vendit Keir Starmer premtoi se do të punojë për ndryshimin e situatës në vend, gjë që siç tha ai do të kërkojë angazhim dhe kohë. Fitorja e thellë në zgjedhjet parlamentare të së enjtes e Partisë Laburiste, i dha fund 14 viteve të qeverisjes shpesh të trazuar të konservatorëve.
Udhëheqësi i laburistëve Keir Starmer është zyrtarisht kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar.
Në fjalimin e tij të parë në detyrë ai u zotua të rikthejë besimin tek politika e t’u shërbejë të gjithë votuesve, pa dallim.
“Qeveria ime do të luftojë çdo ditë derisa të besoni përsëri. Tani e tutje, ju keni një qeveri të udhëhequr vetëm nga vendosmëria për t’i shërbyer interesit tuaj”, tha ai.
Përpara se të shkonte në rezidencën qeveritare zoti Starmer mori bekimin e mbretit Charles III për të formuar kabinetin qeveritar.
Më herët të premten, ish-kryeministri Rishi Sunak i ofroi mbretit dorëheqjen nga detyra. Pas më shumë se një dekade në pushtet nën pesë kryeministra të ndryshëm, konservatorët Sunak pësuan një disfatë të madhe. Në fjalimin e tij të fitores zoti Starmer foli për nje fillim të ri.
‘Ne thamë se do t’i japim fund kaosit dhe do ta bëjmë, thamë se do të hedhim pas të shkuarën dhe e kemi bërë. Sot ne fillojmë kapitullin tjetër, po fillojmë punën për ndryshim, po fillojmë të rindërtojmë vendin tonë”, tha ai.
Laburistët arritën të sigurojnë dy të tretat ose 410 vende në parlamentin me 650 ligjvënës.
Por ata vijnë në pushtet duke u përballur me një ekonomi të ngadaltë, shërbime publike të dobëta dhe standarde jetese në rënie. Të gjitha këto luajtën një rol në rënien e konservatorëve, të cilët u ndëshkuan nga votuesit për shkak të kostos së lartë të jetesës, si dhe për vite të tëra paqëndrueshmërie e lufte të brendshme, që sollën pesë kryeministra të ndryshëm në detyrë, që nga votimi për daljen e Britanisë nga BE-ja në 2016.
Tim Bale, profesor në Universitetin Queen Mary të Londrës thotë se laburistët kanë sfida të mëdha përpara.
“Edhe pse laburistët shënuan një fitore të thellë kjo nuk do të thotë se të gjitha problemet me të cilat është përballur qeveria konservatore janë zhdukur, sikurse çështja e emigracionit. Laburistët do të duhet të gjejnë zgjidhje për varkat e vogla që vijnë përmes Kanalit të La Manshit. Duhet të heqin dorë nga skema e Ruandës, por do të duhet të gjejnë zgjidhje të tjera, për ta trajtuar problemin“.
Konservatorët parashikohej të fitonin vetëm rreth 130 vende – paparaqitja më e keqe në zgjedhje në historinë e partisë.
Zoti Sunak, pranoi humbjen e rëndë të konservatorëve të premten në mëngjes.
“Sot, pushteti do të ndryshojë duart, në një mënyrë paqësore dhe të rregullt, me vullnet të mirë nga të gjitha anët. Kjo është diçka që duhet të na japë të gjithëve besim në stabilitetin dhe të ardhmen e vendit tonë“, tha ai.
Konservatorët morën gjithashtu një goditje për shkak të rritjes së krahut të djathtë, partia populiste për Reformë.
Udhëheqësi i saj dhe aktivisti i Brexit-it, Nigel Farage fitoi më në fund një vend në parlament, pas shtatë përpjekjesh të dështuara ndër vite.
Partia e tij fitoi katër vende gjithsej dhe në disa pjesë të vendit, ata fituan më shumë vota se konservatorët. Rritja e mbështetjes për një alternativë populiste u bëri jehonë rezultateve të ngjashme në Evropë kohët e fundit.
Por, ndryshe nga Franca, ku partia e ekstremit të djathtë Bashkimi Kombëtar shënoi fitore historike në raundin e parë të zgjedhjeve, shumica e britanikëve kanë varur shpresat tek një parti e qendrës së majtë për të sjellë ndryshim./REL