Një ekspozitë e veçantë fotografike nga gjimnazistë nga Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë është çelur këtë të enjte një në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Përmes këtyre fotove që tejkalojnë barrierat gjuhësore, këta nxënës na kanë treguar talentet e tyre. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi përmes një postimi në rrjetet e saj sociale informoi se kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për një javë.
“Ekspozita më e bukur dhe e veçantë sot në hollin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit nga gjimnazistët e Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë. I takova nga afër këta artistë, të cilët janë brezi i parë i nxënësve që po përfitojnë nga hapja e shkollës së mesme në këtë institut dhe që këtë herë falë projektit #EU4InclusiveTeaching kanë realizuar këto fotografi kaq mbresëlënëse.”
Ministrja Kushi i bën thirrje dashamirëve të fotografisë se mund të vijnë ta vizitojnë ekspozitën nga afër në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. “Dyert e ministrisë sonë do të qëndrojnë të hapura gjatë një jave për ekspozitën me titull ‘Flasim përmes fotove’, duke i ftuar të gjithë dashamirësit e fotografisë, por edhe miqtë dhe shokët e këtyre nxënësve të mrekullueshëm.”
Kjo ekspozitë shënon një moment të veçantë, pasi është ekspozita e parë fotografike e nxënësve të talentuar të Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë në Tiranë.\egnatia news