Ditën e sotme, Kryeministri ka qenë në një vizitë zyrtare në Vatikan ku është takuar me Papa Françëskun. Në takimin me atin e shenjtë, Rama mori me vete edhe bashkëshorten e tij, Linda Ramën dhe djalin e vogël. Gjithashtu ra në sy edhe prania e ish ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. 

Në një postim në rrjetin social facebook, Rama zbuloi bisedën e bërë me Atin e Shenjtë dhe tha se ai kishte një dashuri të posaçme në momentin që fliste për shqiptarët dhe se e kujtonte edhe vizitën e tij të parë jashtë Vatikanit të realizuar në Shqipëri.

Postimi i Plotë nga kryeministri Edi Rama:

Papa Françesku flet për Shqipërinë dhe shqiptarët me një dashuri të posaçme, ruan të freskët kujtimin e vizitës së tij të parë jashtë Vatikanit në Shqipëri, shpreh mirënjohje për rolin e Shqipërisë si faktor paqeje në rajon, po edhe si një vend e një popull model solidariteti njerëzor, qysh me shpëtimin e hebrenjve e deri në ditët tona me mikpritjen për refugjatët afganë dhe përcjell bekimet e tij për të gjithë shqiptarët, duke përshëndetur gjithashtu bashkëpunimin më të ri mes Selisë së Shenjtë dhe Qeverisë Shqiptare, për krijimin e destinacionit të pelegrinazhit me përmendoren e me tempullin kushtuar Shenjtores Shqiptare, Nënë Tereza, në Tiranë