Sekretari i KZAZ nr.30 në Kashar, Remzi Mehmeti, ka konfirmuar se është goditur nga një person i pranishëm në ambientet e qendrës së numërimit, pas një konflikti të nisur për një votë të kontestuar, në të cilën figuronte kandidati i Partisë Socialiste, Ornaldo Rakipi.

“Nuk e di a ishte vëzhgues, por e kontestoi me forcë duke bërtitur. Iu afrova, i thashë të qetësohej dhe se do ta shihnim votën për të dhënë një përgjigje.

Ata nisën sërish me ofendime dhe ngritën zërin. U thashë se do të merrja masa për largimin e tyre nga KZAZ. Më pas kaluan perimetrin e sigurisë dhe më goditën,” deklaroi Mehmeti.

Sipas tij, vota ishte për Ornaldo Rakipin dhe të pranishmit që reaguan dhunshëm mund të kenë qenë përfaqësues të tij. “Nëse ka kontestim, duhet të mblidhet KZAZ për ta shqyrtuar. Nuk na u dha kjo mundësi,” shtoi ai për Tch.

Sekretari Mehmeti ka bërë kallëzim në polici për incidentin, ndërsa theksoi se nuk i njeh personat që e sulmuan. Policia po vijon hetimet për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e përfshirë në këtë ngjarje.