Krydemokrati Lulzim Basha, i është përgjigjur deputetit të PS, Erion Braçe, pasi ky i fundit shfrytëzoi foltoren për ti kërkuar llogari për veprat infrastrukturore gjatë kohës së tij si Ministër.

Basha në fjalën e tij, i është drejtuar duke i thënë se fondet në dispozicion nuk shkojnë për ndërtimin e infrastrukturës, pasi ka korrupsion.

Basha tha se ky regjim është ‘nëna dhe baba i korrupsionit’, ndërsa shtoi se ka pasur parregullsi në një rrugë të ndërtuar në Divjakë, zonë që përfaqësohet në parlament nga Braçe.

Lulzim Basha: Dëgjoj herë pas here të paktën një anëtar të grupit parlamentar të PS që flet sikur të ishte deputet për herë të parë. Është një ndër deputetët më jetë gjatë në Kuvend, një ndër aktivët kur ishte në opozitë. Por meqë po flasim për një zonë që unë e kam pasur shumë përzemër por që skam pasur nderin ta përfaqësojë asnjëherë drejtpërdrejt. Atyre me siguri ju kujtohet diçka që nuk i kujtohet përfaqësuesit të tyre. 

Rruga ishte projektuar dhe ishte gati për të filluar, por nuk fillonte.  Pse nuk fillonte këtë mund ta thonë përfaqësuesit italo-shqiptar që ishin kontraktuar. Fondet në dispozicion nuk parashikonin rrugë dytësore dhe përfundimin e mbikalimeve. Në çdo rrugë tenderuar 2005-2007, kursimi ishte 16%, numri minimal i pjesëmarrësve në tender 5. Më numëroni me gishtat e një dore një tender të këtij shteti që nuk fitohet në 99%.  Numëro tenderat ku ke më shumë se 5 kontraktues, sepse ky regjim është nona dhe baba e korrupsionit dhe korrupsioni është arsyeja kryesore e revoltit legjitim dhe depresionit të banorëve të Divjakës dhe gjithë Shqipërisë.

Nga ana tjetër Braçe tha se do të paraqesë fakte dhe prova për të dëshmuar të kundërtën.

Erion Braçe: Dua ta theksoj, që kur flasim për korrupsionin në sallën e Kuvendit, pa më të voglin diskutim që duhen prova dhe fakte. Nuk duhen as nona dhe baba, po të jetë për këta përgjigja është e qartë, nona, baba, daja, xhaxhi, para drejtësisë, nga i pari deri te i fundit pa asnjë dallim dhe pa një element që nuk ka ekzistuar më herët, pa mbrojtje ligjore nga partitë e ndryshme politike. Kjo është e para. E dyta, padiskutim që e gjitha sa thash për këtë projekt është e dokumentar. Javën tjetër, raportin do e sjell në sallën e parlamentit. Njerëzit s’kanë nevojë as për fjalët e mia e as të kurrë kujt. A mund ta di unë se si u mor në dorëzim kjo? Dua ta di.