Tezja e vëllezërve Maskurti tregon për mediat se nuk ishte në dijeni të konflikteve që kishin dy djemtë për një pronë. E ndodhur në rrugën ‘Islam Alla’ ku dhe ndodhi krimi i dyfishtë këtë pasdite, tezja e vëllezërve thotë se lajmin e rëndë e ka marrë vesh përmes mediave.

“I kam nipa. I kam të motrës. Nuk e di a kanë pas probleme. Lajmin e mora vesh në televizor,”- tha ajo.

Çfarë ndodhi sot?

Arsen (Hamza) Muskurti vrau këtë pasdite vëllanë e tij, Dritan (Alban) Muskurti e bashkëshorten e këtij të fundit, Nora Muskurti. Krimi i dyfishtë në Tiranë e ka zanafillën tek një agjenci udhëtimesh. Në janar të këtij viti, me vendim gjykate, agjencia e udhëtimeve që dërgonte njerëz në vende të lindjes u kalua në emër të personit që mbeti i vrarë sot Dritan (Alban) Muskurti. Por, për Arsen (Hamza) Muskurtin, kjo gjë ishte e papranueshme. Dyshja konfliktoheshin çdo ditë, madje në Policinë e Tiranë ka dhe denoncime nga vëllezërit kundër njëri-tjetrit.

Këtë mesditë, Arsen Muskurti shkoi në lokalin ku i vëllai po konsumonte diçka me të shoqen, Nora Muskurti. Pas debatit verbal, sherri kaloi në konfrontim fizik. Dy vëllezërit u ngritën nga lokali dhe shkuan në agjencinë për të cilën dhe ishin në konflikt. Pikërisht brenda atyre ambienteve, Arsen Muskurti vrau të vëllanë e gruan e tij. Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së biznesit që monitorohej brenda dhe jashtë. Pas krimit, autori është larguar nga vendngjarja për tu arrestuar më vonë nga forcat RENEA.