Ky është rasti tipik kur pjesëtarë të së njëjtës familje kanë bindje të ndryshime.
U përfol shumë në media “konflikti” midis Floriana Garos dhe vjehrrës së saj, ku krahas marrëdhënies personale, në politikë duket se janë ‘kundërshtare’. Sot Garo mban postin e drejtoreshës së komunikimit të Komisionit të Rithemelimit dhe shfaqet në krah të Berishës në çdo dalje publike. Ndërkaq, vjehrra e saj dikur e angazhuar me politikë i ka publike deklaratat kundër ish-kryeministrit Berisha.
Së fundmi e ftuar në “ Fitstation” Floriana rrëfeu këtë situatë duke e konsideruar diçka të zakonshme. Ajo shtoi se bindjet e tyre nuk kanë ndikuar në marrëdhënien personale.
“Unë jam përfshirë në këtë rrugë duke e diskutuar me tim shoq, me familjarët dhe me vjehrrën, tjetër se ajo ka thënë jo nuk jam dakord. Vjehrra ime ka qenë e përfshirë në politikë më parë, ajo ka pasur bindje të tjera, tani nuk është e përfshirë më. Ajo në bindje është e djathtë, tjetër se ajo e sheh realizimin e Shqipërisë së dëshiruar ndryshe nga unë,”-tregoi ish-moderatorja.
“Janë bindjet e saj, nuk jemi kuptuar në këtë pjesë por kjo nuk ka penguar marrëdhëniet tona në familje, megjithëse ka patur shpesh herë dhe nervozizëm. Bashkëshorti është gjendur disi në situatë të vështirë. Ai ka qenë pro meje në fakt dhe shumë bindshëm me PD-në, dhe jo pro nënës së tij në këtë rast. Megjithatë kjo tregon se funksionon demokracia, dhe nuk mendoj që është rasti i vetëm dhe pse ka bërë shumë përshtypje,”-përfundoi Garo.
Lumturi Ratkoceri, vjehrra e Florianës u shpreh se në këtë pikë me nusen e saj ka rënë dakord për të mos rënë dakord.
“Reagimi im nuk ka fare lidhje me nusen time. Ajo është amerikane jo vetëm me pasaportë, po edhe me shpirt dhe me besim”, ka thënë ajo.