Ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme eksperienca e Bayernit të Mynihut në Botërorin për Klube, pasi udhëtimi drejt Katarit ka rezultuar një torturë e vërtetë, duke qenë se është shtyrë për më shumë se 9 orë.

Pas ndeshjes ndaj Herthës në transfertë, klubi bavarez kishte planifikuar të udhëtonte nga Berlini në Doha pak para mesnatës, pasi do të jetë i impenjuar të hënën në ndeshjen e parë ndaj Al Ahlyt.

Udhëtimi duhej të startonte në orën 23:30, por u shty disa herë për çështje të mungesës së autorizimit të sigurisë, duke qenë se po zbatohen protokolle të rrepta për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Më pas fluturimi u autorizua të ndodhte në orën 7:00 të mëngjesit, por tashmë me një ndalesë në Mynih, ku u ndryshua edhe ekuipazhi dhe nisja për në Katar u bë vetëm në orën 9:15 të mëngjesit të sotëm.

Lojtarët dhe stafi teknik kanë kaluar një torturë të vërtetë në aeroportin e Berlinit mbrëmjen e djeshme, ndërsa edhe kreu i bavarezëve, Karl Heinz-Rummenigge ka reaguar ashpër, duke thënë se “ndihen të tallur nga autoritetet, që i kanë bërë një dëm shumë të madh klubit”.

Express