Të gjithë prindërit, pa përjashtim, ëndërrojnë të kenë një fëmijë të shëndetshëm. Fatkeqësisht kjo ëndërr nuk bëhet gjithmonë realitet. Pjesa më e madhe e foshnjave lindin nga një shtatzëni e plotë dhe nuk kanë asnjë problem mjekësor, por disa prej tyre mund të lindin edhe para kohe. Lindja e parakohshme, e përkufizuar shpesh si një lindje që ndodh para javës së 37-të të shtatzënisë, ndonëse jo gjithmonë, shoqërohet me ndërlikime. Falë progresit në fushën mjekësore, në ditët tona, shpresa për mbijetesën e këtyre foshnjave është shumë më e madhe krahasuar me disa vite më parë. Në fakt, më tepër se dy të tretat e foshnjave të lindura në javën e 24-t apo të 25-të, mund të mbijetojnë nëse marrin përkujdesjen e duhur mjekësore. Në paragrafët e më poshtëm shpjegohen disa probleme dhe trajtime që shfaqen zakonisht në lindjet e parakohshme.
Mjedisi: për herë të parë, ndoshta do ta shihni fëmijën në sallën e reanimacionit për të porsalindurit. Ka shumë mundësi që të habiteni, ndoshta edhe të tronditeni nga ajo që do të shikoni. Gjëja e parë që do t’ju bjerë në sy, janë tubat e shumtë, kateterat dhe pajisjet elektrike të lidhura me foshnjën. Mos harroni se këto pajisje e ndihmojnë të jetë i shëndetshëm dhe nëpërmjet tyre ekipi mjekësor informohet për gjendjen e fëmijës. Meqenëse foshnjat e lindura para kohe, kanë më pak dhjamë në trup kra[1]hasuar me ato të lindura nga një shtatzëni e plotë, kanë nevojë të qëndrojnë në një mjedis të ngrohtë. Shpeshherë, vendosen në inkubator: një kuti plastike e mbyllur dhe e ngrohtë, e cila i ndihmon të ruajnë temperaturën normale të trupit. Në sallën e reanimacionit, foshnja do të marrë të gjithë përkujdesjen e specializuar, përfshirë edhe programin e ushqyerjes, i cili është hartuar sipas nevojave të saj. Ditët e para pas lindjes, foshnjat e lindura para kohe, ushqehen në rrugë intravenoze, sepse aparati i tyre tretës dhe sistemi i frymëmarrjes mund të mos jenë formuar plotësisht për ta pranuar qumështin. Kur foshnja të jetë gati, ushqyerja në rrugë intravenoze do të ndërpritet dhe hapi i radhës do të jetë një formë tjetër të ushqyeri: ushqyerja përmes tubit. Falë kësaj mënyre, foshnja do të marrë qumështin e gjirit apo atë formulë përmes një tubi, i cili do ta çojë direkt në stomak apo në pjesën e sipërme të zorrës.