Ajo shkëlqen pothuajse si të jetë e re, por është 2300 vjeçe. Bëhet fjalë për një unazë ari të ruajtur në mënyrë të mrekullueshme dhe të gjetur gjatë gërmimeve në Jerusalem dhe shkencëtarët besojnë se ajo mund të japë të dhëna për kohën e saj dhe origjinën e Jerusalemit.
Atë e gjeti një grua shtatzënë. Unaza prej ari ishte zbukuruar me një gur të çmuar të kuq dhe besohet se i përkiste ose një fëmije ose një vajze. Sipas ekspertëve ajo e ka origjinën nga epoka helenistike. Punëtorja e gjeti unazën duke shoshitur dheun.
Ajo është pjesë e ekipit që punon në gërmimet arkeologjike të iniciuara bashkërisht nga Instituti i Izraelit për Antikitetet dhe Universiteti i Tel Avivit në kantierin “Qyteti i Davidit” ku po kryhen gërmime.
“Papritmas pashë diçka që shkëlqente. Menjëherë bërtita se e kisha gjetur një unazë. Është një gjë shumë emocionuese. Nuk e gjen diçka të tillë çdo ditë. Jam shumë e lumtur që ëndrra ime u realizua një javë para pushimeve të lehonisë” – tha gruaja që shtoi se i gjithë ekipi ishte i emocionuar.
Stili i unazës tregon epokën persiane dhe helenistike të hershme të fundit të shekullit të 4-të deri në fillim të shekullit të 3-të para Krishtit.
“Në atë kohë, njerëzit filluan të preferonin arin me gurët e çmuar më shumë se ari i gdhendur”, – thuhet në një deklaratë. Unaza e artë është një nga një sërë objektesh të cilat u gjetën në kantierin e parkingut Givanti në “Qytetin e Davidit”. Shkencëtarët thonë se të gjitha këto gërmime do të kontribuojnë në krijimin e një tabloje të banorëve të Jeruzalemit në epokën e hershme helenistike.
© SYRI.net