Publikohet fotoja e viktimës Eraldo Nevruzi, i cili u vra me armë zjarri në hotelin ku punonte në Dhërmi.
Policia po vijon kërkimet nga toka dhe me dron në Gjipe për trupin e Eraldo Nevruzit, i cili u vra me armë zjarri nga bashkëpronari i hotelit në Dhërmi ku punonte.
Brenda hotelit, në dhomat e personelit, aty ku dyshohet se është vrarë 31-vjeçari me armë zjarri nga Gerald Shehu janë gjetur gjurmë gjaku.
Sipas informacioneve, policia vijon të qëndrojë në ambientet përreth hotelit, për të zbuluar më shumë për ngjarjen.
Shehu u arrestua në aeroportin e Korfuzit, disa orë pas ngjarjes në tentativë për t’u arratisur drejt Anglisë.
Si ndodhi ngjarja?
Një ngjarje e rëndë ndodhi në Dhërmi, ku recepsionisti i një hoteli është vrarë me armë zjarri pak minuta pas mesnatës, rreth orës 00:30.
Viktima është Eraldo Nevruzi, 31 vjeç nga Tirana. Ndërsa autori është identifikuar si Gerald Shehu, nga Tepelena, banues në Angli. Shehu është bashkëpronar i hotelit ku ndodhi krimi.
Sipas policisë, Shehu e ka qëlluar me armë zjarri 31-vjeçarin në një nga dhomat e hotelit, pasi ai kishte marrë turnin dhe pasi ka zhdukur trupin, është arratisur drejt vendit fqinj, Greqisë. Ai dyshohet se doli nga hoteli rreth orës 01:00.
Autori dyshohet se u arratis me një makinë tip “Audi”, e cila u gjet afër portit në Sarandë dhe më pas udhëtoi drejt Qafë Botës, i ndihmuar nga persona të tjerë.
Dy janë pistat paraprake të hetimit, një për konflikt banal të çastit dhe tjetra për njohje të mëparshme dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme në Angli ku të dy, viktima dhe autori jetonin e punonin.
I plagosuri vijon ende i zhdukur dhe nuk rezulton i paraqitur në asnjë prej spitaleve. Mësohet se çdo sezon veror autori i dyshuar shkonte në Dhërmi, kurse pjesën tjetër të vitit qëndronte në Angli.
Hoteli ishte një biznes familjar, ku bashkëpronarë ishin vjehrri dhe autori i dyshuar, dhëndri dhe të afërm të tjerë që merren me menaxhimin.