Një ndër jahtet më luksoze në botë është ankoruar paraditen e së premtes në Portin e Durrësit.

Bëhet fjalë për “Abeona”-n, jahtin ndihmës të miliarderit Jeff Bezos, themeluesit të Amazon.

I pagëzuar me emrin e Perëndeshës romake, mbrojtëse e fëmijëve dhe udhëtarëve gjatë lundrimeve të gjata, “Abeona” është jahti luksoz, i cili është bregëzuar në Portin e Durrësit ditën e sotme.

Lançuar në vitin 2023 nga prestigjozi holandez Damen Yachting, ky jaht karakterizohet nga një superstrukturë alumini rreth 76m dhe gjerësi prej 12 m.

““Abeona” lundron nën flamurin e ishujve Kajman dhe ka mbërritur mëngjesin e kësaj të premteje nga porti francez i La Ciotat në kalatën nr.5 , ku tashmë shërbimet portuale po diversifikohen me një gamë të gjerë operacionale e cila përfshin edhe operacionet e standardeve ndërkombëtare për kategoritë e ndryshme të mjeteve lundruese turistike siç janë jahtet dhe kroçierat”, njoftojnë autoritetet portuale.