
Nuk qenka dhe aq keq jeta në Afrikë.
Kisha menduar se jam kaq pa fat
sa zhgënjimeve në xhep mos t’i ndaja më dorën dhe se sa më larg të shkoja aq më pranë do të të vija një ditë.
E kam fjalën se po kaloja një periudhë
që të destabilizon komplet si njeri
dhe e kuptova këtë vetëm kur gjeta “sekretin” se si mund të shpëtoja.
Në fakt, s’më kish shkuar në mendje për asnjë çast se kësaj do i vinte sqarimi nga një humbje,
që të them të drejtën edhe e shpërfilla kur e mendova.
Mashtruesit perfekt të mendimit mund të kthehen në mishërues absolut të besimit!
Dhe kjo do të thotë se sapo po hyja në një fazë të re. Dhe po më pëlqente si gjë. Po aq sa ideja brilante e të bërit fotograf.
Një fotograf që e ndan në faza apo shkrepje gjithë jetën. Një liri e pazakontë kjo.
Faza e varfërisë seksuale qenka më e keqja,
e të mendosh që Viktor Hygo nuk e kaloi kurrë, te vjen inat. Ti këtë nuk e di!
As nuk ke pse.
As ata që pozojnë nuk kanë.
Afrika, thashë!
Afrika…
atje do të marrë fund njëherë e mirë e gjithë kjo idiotësi, që më shumë se e tillë
nuk ishte gjë tjetër në fakt, se mospranimi i një të vërtete se po shkruaja keq dhe flija po aq.
Mbase do kisha fat në shtetin afrikan
për të menduar ca më ndryshe,
megjithëse kjo prapë s’do të qe e mundur
nga ngjyra e lëkurës.
Por të paktën do të jetoja si një i bardhë mes të zinjëve dhe problem seksual nuk do të kisha.
E padyshim mbijetesa ime do ishte si të thuash… një epokë e re.
Epoka e Ironisë në qytetin “Benin”
Nuk tingëllon dhe aq keq!
Edhe pse prapë nuk do të gjeja karar në vendin që emri më vinte si familjar
e, që si pasojë më dha ca shpresë
nga ngjyrat e flamurit
u bëre shkak po prapë ti.
Një personazh që vjen pa ardhur
dhe që ikën kur sapo vjen.
Si një re në qytet apo një tasë me ujë në duart e një fëmije me ngjyrë dhe pa flokë.
Dua të them se nëse ke pak fat
duhet të kesh lindur veçse me këmishë
edhe me një aparat fotografik në dorë
për të kapur jo çaste, sa çastin.
Dhe ai ka kohën e një buzëqeshje
që nuk e merr vesh kurrë sa zgjat
ndërsa e di, sa pak.
Gjithsesi, këtu në Afrikë është mirë
bëj fotografi po aq sa bëj dashuri
njerëzit vishen me shumë ngjyra
dhe unë nuk e kam humbur
kuriozitetin e shkrimtarit
por mirënjohjen ndaj fatit, po.
Doja të ta shkruaja këtë pusullë
edhe pse e di që do e bësh shuk idenë time
bashkë me pyetjen e fundit
që në thelb do e grisësh siç unë nuk po e bëj dot më me mjerimin tim, ajrin, paralajmërimet e fatit, gjysmë-realitetet, miqtë, ëndrrat, gratë apo zërat që kam në kokë.
Megjithëse kjo është një tjetër histori,
si një temë e pazbuluar
dhe si puna e asaj që ty nuk të therr më në zverk,
siç mua aparati mbi këtë letër
që po të çoj nga larg
– Të shkepësh apo shkrepësh?
