Një çiklist në Britani ka fotografuar një moment të disa deleve kur janë formuar në rreth, sikur të komandoheshin nga forca të mbinatyrshme.
Pas publikimit të fotove në internet, përdoruesit mbështesnin habinë e tij, duke e quajtur formacionin “dele-UFO”.
47 vjeçari Christopher Hogg tha se ideja e vetme që vinte në kokë në ato momente, ishte se kafshët po komandoheshin me telepati nga alienët, që i urdhëronin të vendoseshin në formacionin e pazakontë rrethor.
“Po ecja me biçikletë drejt Rottingdean në East Sussex kur pashë kafshët leshtore që silleshin në mënyrë të pazakontë”, tha ai, duke shtuar se qëndrimi i tyre të kujtonte rrethet gjigande misterioze të të mbjellave që u shfaqën në Britani në vitet 1990, të cilat edhe atëherë shkaktuan frikë të një pushtimi alien apo të një mesazhi të jashtëtokësorëve.
Christopher shton: “Çfarëdo që të ishte, qe e pabesueshme, ato po qëndronin në formën e anijeje kozmike aliene. Ishte diçka shumë e bukur por jemi në vitin 2021 dhe diçka e tillë të fut frikën. Kur shikova më nga afër, kuptova se ishin dele. Delet zakonisht janë të zhurmshme me blegërimat e tyre, ndërsa ato qëndronin të palëvizura dhe të heshtura. Ishte qetësi absolute, sikur delet të ishin në një gjendje ‘trance’”.
Ai shton se papritur u pushtua nga një dëshirë për t’u larguar dhe shkoi me shpejtësi në shtëpi për t’i treguar fotot gruas Victoria dhe djalit të tij Louis, të cilët edhe ata u mahnitën.
“Ne të gjithë ishim dakord se ky mister kërkonte rikthimin e Mulder e Scully!”, shtoi ai, duke iu referuar dy detektivëve të serialit “X Files”me fenomene të pashpjeguara.
Megjithëse shumë hipoteza u hodhën mbi orientimin e deleve, shpjegimi ishte tepër i thjeshtë, delet ishin në një mënyrë të tillë, pasi bariu i kishte vendosur ushqimin në formë rrethore.
faxweb.al