Ka zgjatur vetëm 15 minuta e 02 sekonda seanca e sotme plenare, pasi deputetët demokratë kanë kthyer sallën “përmbys”, pas njoftimit të heqjes se imunitetit si deputet, Ervin Salianji.

Teksa kryeparlamentarja lexonte procedurën për heqjen e imunitetit të Salianjit dhe vendin vakant, deputetët nisën me hedhjen e sendeve ndaj saj, ku pasi thyen një karrige, e kanë gjuajtur me copa të drurit.

Të bërë “gardh” para foltores, deputetët e PD penguan punimet e kësaj seance, ndërsa më pas u zhvendosën dhe morën karriget nga salla duke i nxjerrë tek dera hyrëse e Kuvendit. Akti pasardhës ishte vendosja e zjarrit të karrigeve, ku u desh ndërhyrja e gardës me bobola zjarrfikëse për të shuar flakët që u përhapën me shpejtësi.

Siç duket edhe në fotot e mëposhtme, deputetët e PD kanë qëndruar pranë zjarrit, ku Ina Zhupa me syze dielli e duart kryq, së bashku dhe me kolegë të tjerë, vështronin “pamjen”.

Flamur Noka u rikthye sërish në sallë ku u përplas fizikisht me deputetin e PS Petro Koçi, e më pas u njoftua për përjashtimin nga seanca.

https://youtube.com/watch?v=najg3wzK3-E%3Ffeature%3Doembed

Mes kaosit, flakës e tymit, Elisa Spiropali ka njoftuar mbylljen e seancës, ndërsa nga ana tjetër deputetët e PD kanë paralajmëruar se ky i sotmi, do të jetë dhe aksioni që do të bëjnë në çdo mbledhje të seancës plenare.

Top Channel