Një rrufe ka goditur një stallë me bagëti të imta në zonën e Empesos, në Eteloakarnani të Peloponezit.
Nga goditja e saj janë vrarë gati 160 kokë dele e dhi, ndërsa më pas ka shpërthyer zjarri si pasojë e të cilit u dogj ushqimi i kafshëve, dhoma e mjeljes, veglat dhe gjithë njësia e prodhimit të qumështit që jepte rreth 300 kg qumësht në ditë.
Sipas vlerësimeve të para, dëmi i fermës në fjalë i kalon 200.000 euro. Ekipi i specialistëve të Organizmit Grek të Sigurimeve Bujqësore ndodhet në vendngjarje për të të vlerësuar incidentin, i cili vjen në një moment kur për shkak të murtajës së deleve dhe dhive dhe masave që nuk lejojnë transportin e bagëtive të imta, nuk është aspak i lehtë zëvendësimi i kafshëve që u goditën nga rrufeja.
Mbi 50 dele u vranë edhe para disa ditësh nga rrufeja që ra gjatë një stuhie në fshatin Vllaha të Komunës Metsovo, pranë Janinës.
Stuhitë e shpeshta që shpërthejnë ditët e fundit janë veçanërisht të fuqishme dhe shoqërohen me shumë rrufe dhe për këtë arsye autoritetet vendore në periferitë e vendit këshillojnë sidomos fermerët që kanë stalla në male dhe zona të veçuara të kenë kujdes të madh.
Top Channel