Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të martën se do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç në Francë, nëse nuk ndërmerret një veprim i përbashkët në nivel evropian brenda disa muajsh.

Në një intervistë për televizionin France 2, Macron reagoi ndaj vrasjes së një asistenteje mësuese nga një nxënës 14-vjeçar pranë një shkolle të mesme në Francë, duke theksuar nevojën urgjente për të mbrojtur të miturit nga ndikimi i dëmshëm i rrjeteve sociale.

“Ne duhet t’i ndalojmë mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç,” tha ai, duke paralajmëruar se nëse nuk ka mobilizim evropian, Franca do të veprojë në mënyrë të njëanshme: “Do të jap disa muaj kohë që të fillojë mobilizimi evropian. Përndryshe (…) do të fillojmë ta bëjmë atë në Francë. Nuk mund të presim më.”

Presidenti theksoi rreziqet që rrjetet sociale paraqesin për shëndetin mendor dhe sigurinë e të rinjve, veçanërisht në moshat kur ata janë më të ndjeshëm ndaj presionit dhe përmbajtjeve të dhunshme.

Gjatë intervistës, Macron paralajmëroi gjithashtu masa të reja për kufizimin e aksesit të të miturve në armë të ftohta, duke deklaruar se do të ndalohet blerja e thikave në internet për personat nën moshën 15 vjeç.

Këto masa vijnë në një kohë kur Franca po përballet me një debat të gjerë mbi sigurinë në shkolla dhe ndikimin e teknologjisë në sjelljen e të rinjve. (A2 Televizion)