Udhëheqësit e Britanisë , Francës dhe Kanadasë paralajmëruan sot se vendet e tyre “nuk do të rrinë duarkryq” përballë “veprimeve skandaloze” të qeverisë së Benjamin Netanyahut.
Në reagim thuhet se do të ndërmarrin veprime nëse Izraeli nuk ndal operacionin e tij të ri ushtarak në Rripin e Gazës dhe nuk heq kufizimet për hyrjen e ndihmës humanitare.
“Refuzimi i qeverisë izraelite për të ofruar ndihmë themelore humanitare për popullsinë civile është i papranueshëm” dhe “rrezikon të shkelë të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare”, thanë në deklaratën e tyre të përbashkët presidenti francez Emmanuel Macron , kryeministri britanik Keir Starmer dhe kryeministri kanadez Mark Carney.
Tre udhëheqësit deklaruan gjithashtu se janë “ të vendosur për të njohur një shtet palestinez” brenda kornizës së “zgjidhjes me dy shtete ”. Macron, Starmer dhe Carney i bënë thirrje gjithashtu Hamasit që të lirojë menjëherë pengjet që mban që nga 7 tetori 2023.