Hassen Chalghoumi, imam në Drancy në periferi të Parisit, u shpreh se është bërë objekt kërcënimesh pasi foli kundër vrasjes së mësuesit me prerje koke muajin e kaluar, i cili kishte treguar në klasë karikatura të profetit Muhamed.
Imami është një nga zërat kryesorë të muslimanëve të moderuar, i cili e kishte quajtur mësuesin e vrarë Samuel Paty ‘martir të lirisë së shprehjes’ megjithse karikaturat e treguara prej tij kanë ndezur zemërim në të gjithë botën muslimane.
Por komentet e tij sollën reagime të ashpra dhe Chalghoumi është bërë objekt i një vërshimi kërcënimesh online.
Një nga postimet e kërcënuesve të tij thotë: “Nxisim muslimanët e vërtetë të Francës të bëjnë që Chalghoumi t’i bashkohet mësuesit të historisë, të bëhet edhe ai ‘dëshmor i kombit’”.
Edhe një tjetër në rrjetin Telegram e përshkruante hoxhën si ‘objektivi ynë i ri’, duke u bërë thirrje ndjekësve ta ‘ekzekutojnë pasi është më i pisët se të pafetë francezë’.
Chalghoumi, i cili ka lindur në Tunizi, jeton me mbrojtjen e policisë që prej sulmeve të vitit 2015 në Paris, kur vetë ISIS bëri thirrje për ekzekutimin e tij.
Ai ka provokuar edhe më parë muslimanët duke punuar për përmirësimin e lidhjeve me hebrejtë si dhe duke mbrojtur masën qeveritare të ndalimit të vellos muslimane të fytyrës.
Avokati i tij David-Olivier Kaminski i ka shkruar Macron për të shtuar mbrojtjen e imamit mes valës së kërcënimeve.