Momente frike dhe paniku kanë shoqëruar ndeshjen e sotme mes Fiorentina-Inter.
Mesfushori i Fiorentinës, Edoardo Bove, 22 vjeç, u rrëzua përtokë në minutën e 17-të dhe u transportua menjëherë me ambulancë me barelë.
Sapo lojtari u rrëzua përtokë (ndërsa ai po lidhte këpucët) shokët e tij u përpoqën menjëherë ta ndihmonin te mos i merrej fryma, duke i futur gishtat në gojë. Megjithatë, pjesa tjetër e lojtarëve, së bashku me stafin e të dyja skuadrave, u grumbulluan rreth Bove për të mos lejuar kamerat dhe tifozët të vëzhgonin skenën.
Në momentin që ndeshja është ndërprerë, lojtarët janë larguar të përlotur nga fusha dhe janë kthyer në dhomat e zhveshjes. Ndërkohë është shtyrë zyrtarisht ndeshja Fiorentina-Inter qe u ndërpre me rezultatin 0-0.
Sipas burimeve të Adnkronos, kur mbërriti në spital, Bove po merrte frymë vetë dhe kishte rrahje të zemrës. Fillimisht i pavetëdijshëm, ai rifitoi ndjenjat. Sipas Ansa-s, bëhet fjalë për një krizë epileptike që shkaktoi një arrest kardiak.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të lojtarit, ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar edhe skuadra e Fiorentinës. “AC Fiorentina dhe Spitali Universitar Careggi njoftojnë se futbollisti Edoardo Bove, i ndihmuar në fushë pas humbjes së ndjenjave gjatë ndeshjes Fiorentina-Inter, ndodhet aktualisht në terapi intensive, nën sedacion farmakologjik. Bove mbërriti në gjendje të qëndrueshme nga ana hemodinamike në urgjencë dhe ekzaminimet e para kardiologjike dhe neurologjike përjashtuan dëmtime akute të sistemit nervor qendror dhe atij kardiopulmonar. Ai do të rivlerësohet brenda 24 orëve të ardhshme.”
FAMILJA DHE DREJTUESIT E FIORENTINËS NË SPITAL
Në spital, përkrah lojtarit ndodheshin drejtori sportiv i Fiorentinës, Daniele Pradè, dhe drejtori i përgjithshëm, Alessandro Ferrari. Më vonë u bashkua edhe trajneri Raffaele Palladino dhe familjarët e Bove-s. E pranishme ishte gjithashtu kryetarja e Bashkisë së Firences, Sara Funaro. Shokët e skuadrës, duke filluar nga kapiteni Cristiano Biraghi, mbërritën një nga një për ta vizituar.
Gjyqtari Doveri e ndërpreu menjëherë ndeshjen dhe më pas erdhi zyrtarizimi nga Lega Serie A: “Ndeshja nuk do të vazhdojë dhe është shtyrë për një datë të pacaktuar.” Gjatë ndërprerjes së lojës, Bove ra në tokë dhe situata u duk menjëherë shumë serioze. Një ambulancë e largoi menjëherë lojtarin, ndërsa priten të rejat.
Bove ishte përkulur për të lidhur këpucën, por sapo u ngrit, bëri disa hapa dhe u rrëzua në tokë. Futbollisti i lindur në vitin 2002 u rrethua nga shokët e ekipit dhe kundërshtarët, të cilët i dhanë ndihmën e parë. Disa lojtarë të tjerë, thuajse me lot në sy, u larguan nga vendngjarja.
Top Channel