Frika e Perëndimit se Ballkani po shkon gjithnjë e më shumë drejt një konflikti të ri mori të tjera doza përforcuese këtë të shtunë.
Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnje votoi pro disa kushteve dhe parashikimeve që u hapin rrugë largimit nga institucionet federale të Bosnjes, pavarësisht se një votë e tillë u paralajmërua se do të shoqërohej me sanksione si nga Brukseli, ashtu edhe nga Uashingtoni.
Seanca e parlamentit u karakterizua nga dy fjalime të gjata të Milorda Dodik dhe Zeljka Cvijanovic, ndërsa opozita bojkotoi punimet në shenjë proteste.
Pavarësisht kësaj, koalicioni i Dodik pati votat e mjaftueshme për të kaluar propozimet që i hapin rrugë miratimit të disa ligjeve të reja që do ta lejonin Republikën Serpska që të tërhiqej nga ushtria, policia, shërbimet e tjera të sigurisë, sistemi i taksave dhe nga sistemi i drejtësisë së Bosnjes. Praktikisht, sipas ekspertëve kjo nënkupton një shkëputje të padeklaruar.
Sipas këtij votimi, brenda gjashtë muajve duhet të kalojnë ligjet e reja, përfshirë këtu edhe ndryshimi i Kushtetutës së entitetit serb të Bosnjes. Dodik ka kërcënuar vazhdimisht në të shkuarën me shkëputje të Republikës Serpska nga Bosnja, e cila përbën gati gjysmën e territorit të vendit.
Në fjalimin e tij ai citoi ish-kryeministrin britanik, David Cameron dhe vendimin e tij për të hedhur në referendum Brexit. Opozita paralajmëroi se këto masa kërcënojnë paqen dhe mund ta fusin Republika Serpska në një spirale lufte.
Opozita akuzoi gjithashtu se vendimet po merren edhe për efekte elektorale, pasi në tetor të vitit ta ardhshëm mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Bosnje dhe Milorad Dodik po synon të maksimizojë votën e serbëve dhe pushtetin personal në presidencën tripalëshe.
Dy anëtarët e tjerë të Presidencës, Sefik Xhaferoviç i boshnjakëve dhe Zeljko Komsiç i kroatëve i bënë thirrje BE dhe SHBA që të reagojnë dhe të marrin masa që të ndalin Dodik dhe bashkëpunëtorët e tij.
SHBA ka shpallur non grata Milorad Dodik dhe ka ngrirë asetet e tij, ndërsa ka paralajmëruar sanksione të tjera për serbët e Bosnjes nëse ata vazhdojnë të shtyjnë përpara axhendën e tyre të dobësimit të institucioneve dhe autoriteteve qendrore të republikës.