Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka falënderuar ish-trajnerin Edoardo Reja për punën që ka bërë në drejtimin e Kombëtares.

Me një postim në “Instagram”, Federata ka konfirmuar kështu fundin e bashkëpunimit me trajnerin italian, ndërsa ditën e sotme do të bëhet prezantimi i pasuesit të tij.

Bëhet fjalë për brazilianin Sylvio Mendes Campos Júnior, i cili do të marrë drejtimin e ekipit kombëtar të Shqipërisë në futboll.

Marrëveshja mes FSHF-së dhe stafit të ri drejtuar nga Silvinjo parashikon një kohëzgjatje 18-mujore deri në përfundim të Euro 2024 dhe aspekti financiar do të bazohet në rezultatet dhe arritjen e objektivave.

“Marrëveshja ka në thelb të saj arritjen e objektivit të vetëm që ka Shqipëria në këto eliminatore, kualifikimi për në finalet e Euro 2024. Në rast të arritjes së objektivit është rënë dakord që trajneri dhe stafi i tij të përfitojnë bonuse të konsiderueshme”, ka njoftuar federata.

Në karrierën e tij si futbollist, braziliani Sylvinho është aktivizuar te Corinthias, Arsenal, Celta Vigo, Barcelona dhe Manchester City ku mbylli karrierën e tij. Ndërkohë, ai ka dhe një përvojë si trajner dhe zëvendëstrajner në disa ekipe.