Dëbora ka zbardhur zonat malore të Elbasanit, si Funari, Gjinari dhe Labinot-Mal duke i shndërruar ato në një kartolinë dimërore.
Fundjava solli një atmosferë magjike në këto zona, të cilat u vizituan nga shumë qytetarë duke u kthyer në destinacionet më të preferuara këtë muaj të parë të vitit.
Male, pyje dhe liqene të rrethuar nga bora krijojnë një panoramë magjepsëse, ku natyra shfaqet në formën e saj më të bukur dhe më të qetë.
Edhe pse temperaturat kanë rënë dhe reshjet e dëborës kanë qenë të dendura, rrugët drejt Funarit, Gjinarit dhe Labinot-Malit janë të hapura dhe të kalueshme.
Qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë dhe goma dimërore, ndërsa autoritetet lokale kanë qenë në terren për të garantuar sigurinë e udhëtarëve dhe mirëmbajtjen e akseve rrugore.
Më të lumturit nga kjo tablo dimërore janë fëmijët, të cilët shijojnë borën me lojërat me topa dëbore.
Familje të shumta kanë zgjedhur këto zona malore për të kaluar fundjavën, larg zhurmës së qytetit, pranë natyrës dhe ajrit të pastër.
Këto zona vijojnë të jenë ndër destinacionet më të frekuentuara turistike të qarkut të Elbasanit, edhe në ditët e ftohta të dimrit.
Investimet e kryera ndër vite nga bashkia Elbasan në infrastrukturë, shërbime dhe promovimin e zonës kanë dhënë rezultatet e tyre, duke i bërë destinacione të aksesueshme dhe të preferuar për vizitorët.
Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, turistë nga qytete të ndryshme kanë mbërritur për të parë nga afër Funarin e mbuluar nga dëbora, liqenet e ngrira pjesërisht dhe qetësinë që vetëm dimri di të sjellë.
Edhe Gjinari, 22 km larg Elbasanit ishte këtë fundjavë i mbushur me turistë.
Zonat malore nën dëborë, mbeten një thesar i Elbasanit, një destinacion që fton vizitorët t’i zbulojnë në çdo stinë, duke ofruar pamje që lënë gjurmë.
1 nga 14







