Dramatik ka qenë fundi i një tentative grabitjeje në Brazil. Një person që ra viktimë e grabitjes i ka rrëmbyer armën njërit prej autorëve dhe ka vrarë një prej agresorëve që ishte vetëm 16 vjeç.
Ngjarja e përgjakshme ka ndodhur në qytetin Guarulos pasditen e 4 gushtit.
Siç shihet në videon e kamerës së sigurisë, gjithçka ndodhi teksa objektivi i grabitësve, Ottavio Ribeiro, po kthehej në shtëpi pas punës. Papritur iu afrua një motoçikletë me dy persona me helmeta, të cilët nën kërcënimin e armës i kërkuan t’u jepte gjithçka me vlerë që kishte me vete. Edhe pse në fillim duket se Ribeiro i bindet urdhrave të grabitësve, ai befas bën një lëvizje dhe rrëmben armën, duke qëlluar disa herë një nga grabitësit.
Në vendin e grabitjes policia gjeti celularin dhe portofolin e Ribeiros si dhe dy celularë të tjerë që dy grabitësit kishin vjedhur më herët. Pas të shtënave, Ribeiro u kthye në shtëpi dhe kur mbërriti policia, ai u tha atyre se u largua sepse kishte frikë për sigurinë e tyre. Pas marrjes në pyetje ai u la i lirë.