Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei ka mbetur vrarë si pasojë e sulmeve ajrore nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi kompleksin e tij në Teheran.

Pas konfirmimit nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara për eliminimin e 86-vjeçarit, lajmi u konfirmua edhe nga vetë Teherani.

Televizioni Shtetëror Iranian njoftoi shpalljen e 40 ditëve zie kombëtare ndërsa regjimi islamik është zotuar për hakmarrje ndaj sulmeve Amerikane dhe Izraelite.Ndërsa Regjimi pa një kokë drejtuese kërkon respektimin e zisë qytetaret anembanë Iranit kanë festuar eliminimin e Khameneit me shpresën se ky do te jete fundi i këtij regjimi.

Ajatollah Ali Khamenei sundoi Iranin për 36 vjet, duke e shndërruar vendin në një forcë të fuqishme kundër ndikimit amerikan në Lindjen e Mesme dhe duke shtypur me forcë çdo valë protestash të brendshme. Fillimisht i konsideruar si figurë e dobët dhe pa karizëm pas vdekjes së Ajatollah Ruhollah Khomeinit në vitin 1989, ai arriti të përqendrojë pushtetin absolut në duart e tij.

Analistët Ndërkombëtar e kanë konsideruar Khamenein si një rast të rrallë të historisë që u shëndërrua nga një president I dobët, në një nga figurat më të fuqishme Iraniane në Shekullin e fundit.

Gjatë gjithë sundimit të tij, Khamenei mbajti një qëndrim armiqësor ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat i quante shpesh “Djalli i Madh”. Edhe pse në vitin 2015 mbështeti me kujdes marrëveshjen bërthamore me Perëndimin, armiqësia ndaj Uashingtonit u thellua në vitin 2018, kur administrata amerikane u tërhoq nga marrëveshja dhe rivendosi sanksionet ekonomike.

Në planin e brendshëm, ai u përball me protesta të mëdha në vitet 1999, 2009 dhe 2022. Pas vdekjes së Mahsa Aminit në paraburgim, regjimi reagoi me shtypje të ashpër, duke përdorur arrestime masive dhe ekzekutime për të frikësuar popullsinë.

Si udhëheqës suprem, Khamenei kishte kontroll mbi forcat e armatosura, gjyqësorin dhe mediat shtetërore, si dhe ndikim të drejtpërdrejtë mbi Gardën Revolucionare. Ai ndërtoi një rrjet të gjerë ndikimi rajonal duke mbështetur milici shiite në Irak dhe Liban, regjimin e Bashar al-Assadit në Siri, Hamasin në Gaza dhe rebelët Huthi në Jemen, në atë që u quajt “Boshti i Rezistencës”.

Megjithatë, në vitet e fundit aleancat e tij u dobësuan rëndë. Rënia e regjimit sirian dhe humbjet e Hezbollahut dhe Hamasit ndaj Izraelit shënuan një tkurrje të ndjeshme të ndikimit iranian në rajon.

Konflikti mes Iranit dhe Izraelit, që për vite ishte zhvilluar në hije, shpërtheu hapur në vitin 2025, kur Izraeli ndërmori sulme të gjera ajrore ndaj objektivave bërthamore iraniane. Irani reagoi me raketa dhe dronë, duke e shndërruar përplasjen në luftë të drejtpërdrejtë 12-ditore, ku u përfshinë edhe Shtetet e Bashkuara.

Negociatat e fundit diplomatike dështuan për shkak të këmbënguljes së Teheranit për të ruajtur pasurimin e uraniumit. Uashingtoni dhe Tel Avivi deklaruan se kjo përbënte rrezik për prodhimin e armëve bërthamore, ndërsa Irani pretendonte se programi kishte qëllime paqësore.

Khamenei kishte mohuar vazhdimisht synimin për të ndërtuar armë bërthamore dhe kishte nxjerrë një qëndrim fetar kundër përdorimit të tyre. Megjithatë, ai mbeti simbol i vijës së ashpër kundër Perëndimit dhe përkrahës i politikave radikale të revolucionit islamik të vitit 1979.

Vdekja e Ajatollah Ali Khameneit e lë Republikën Islamike në një pasiguri të thelle me përplasje të brendshme se kush do te jete Lideri i Ri I vendit, ndërkohë qe sulmet e jashtme nga Amerika dhe Izraeli vijojnë.

Ardit Murataj