Kremlini të premten përmendi një gafë gjeografike të sekretares së Jashtme të Britanisë së Madhe, Liz Truss, si shembull se sa dobët janë të informuar udhëheqësit perëndimorë për mosmarrëveshjen rreth Ukrainës.
“Ky është realiteti në të cilin duhet ta mbrojmë pozicionin tonë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se bisedimet për zgjidhjen e konfliktit në lindje të Ukrainës, në të cilat u përfshinë Franca e Gjermania, nuk prodhuan rezultate të enjten.
Gazeta ruse, “Kommersant”, citoi dy burime diplomatike të kenë thënë se gjatë takimit me dyer të mbyllura mes ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, dhe sekretares së Jashtme të Britanisë së Madhe, Liz Truss, Lavrovi e pyeti homologen britanike se a e njeh ajo sovranitetin rus ndaj Rostovit dhe Voronezhit – dy rajone në jug të Rusisë, ku janë grumbulluar forcat ruse.
Sipas raportimit të gazetës ruse, sekretarja britanike u përgjigj duke thënë se Britania kurrë nuk do t’i njohë këto rajone si ruse dhe u desh që të korrigjohej nga ambasadorja britanike në Rusi.
Në një intervistë të mëvonshme me një gazetë tjetër ruse, kryediplomatja britanike tha se kishte menduar gabimisht se homologu rus po u referohej provincave ukrainase.
Një pjesë e territorit të provincave lindore ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, kontrollohen nga separatistët e përkrahur nga Rusia.