Kur anëtarët e KLP nuk e kanë vendosur ende datën zyrtare për të intervistuar 4 garuesit për drejtimin e SPAK, ndërkombëtarët po mbikëqyrin çdo sekondë që ikën dhe çdo lëvizje për procesin.
Burimet e TCH treguan se përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë kryen takime informale me secilin nga konkurrentët.
Bisedat janë zhvilluar në zyrat e prokurorëve të posaçëm që kanë dorëzuar platformat dhe siç mësohet ata janë pyetur për vizionin që kanë si liderë në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Burimet treguan se takimet e mbajtura veçmas me prokurorin Klodian Braho, Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj janë mbajtur gjatë javës së kaluar, mbasi secili prej tyre është kontaktuar dhe ju është kërkuar kohë nga axhenda.
Sakaq nuk mbeten pas as amerikanët, që prej shtatorit kur u hap gara kanë kryer vizita pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe pranë SPAK, që megjithëse në formën e kortezisë përtej shtrëngimit të duarve kanë mesazhin për transparencë dhe distancim nga influencat.
Por ndërkohë në KLP nga hapja e garës për SPAK-un tonet po vërehen të larta mes 11 anëtarëve, që mbasi të bien dakord nëse takimi zyrtar do të jetë në datën katër apo në datën dhjetë dhjetor duhet të vënë në dijeni prokurorët e posaçëm, raporton gazetarja Anila Hoxha.
Brenda të njëjtës ditë që jo zyrtarisht përmendet se mund të jetë katër dhjetori prokurorët Adnand Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj pasi të dëgjohen dhe të pyeten, do të votohen.
Natyrisht që ky proces që finalizohet me votimin do të ndodhë nën vështrimin e ndërkombëtarëve, për të cilën SPAK do të vijojë të jetë prioritet edhe mbas përfundimit të mandatit në 18 dhjetor të kryeprokurorit Altin Dumani që mbas kësaj dite do të vijojë të mbajë stafetën e prokurorit të posaçëm.






