Fatjon Baci, gardiani i burgut telefonin e të cilit përdori Erion Veliaj, ka folur me detaje para prokurorëve të posaçëm për bisedat që kryebashkiaku i Tiranës ka realizuar gjatë kohës që u transportua nga paraburgimi i Durrësit për në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Në dëshminë e tij polici i burgjeve deklaroi se ia vuri në dispozicion telefonin Veliajt, pasi kishte frika nga pushteti që ai kishte.
Baci tha se në një nga bisedat ka dëgjuar që ai po fliste për një plan që të bëhej deputet e në këtë mënyrë do të mund të shpëtonte nga burgu. Këtu kryebashkiaku ka përmendur edhe kolegë të tij si Tërmet Peçi e Agron Malaj, të cilët hoqën dorë nga detyra e kryetarit të bashkisë, përkatësisht në Tepelenë dhe Mat, për karrigen e deputetit. Për Veliajn, kjo ka qenë strategji e të dyve “për t’i shpëtuar SPAK-ut”.
“Nuk e mbaj mend fiks se me kë, për shkak se edhe unë jam i ngarkuar, por Erioni i ka thënë bashkëshortes ose vëllait se: “Të sakrifikonin një nga studentët për deputet, sikur të ishin sëmurë apo nuk ndiheshin mirë nga gjendja shëndetësore, dhe që të futej Erioni si kandidat për deputet, që t’i shpëtonte burgut”. Këtë gjë e thoshte se është Plani B, plani i vetëm për të shpëtuar. Ai mbaj mend se më ka thënë se edhe disa kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peci apo një me mbiemër Malaj, po bëhen deputetë që t’i shpëtojnë SPAK-ut. Po kështu, Erioni gjatë bisedës me gruan ose vëllain, thoshte se Ulsiun e ka nxjerrë ai deputet nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e SPAK-ut, i thoshte Erioni se Ulsiun e dinte që e kishte mik. Pasi mbaroi bisedat telefonike, Erioni më kërkoi që të lexonte lajmet”, thuhet në dëshminë e gardianit të burgut, Fatjon Baci.
(BalkanWeb)