Deputeti demokrat Gazment Bardhi nuk e ka treguar sërish se cili është pronari i vilës 760 mijë euro në Gjirin e Lalzit, por sot ka hedhur një tjetër akuzë, duke thënë se pronari i vilës rri nga mëngjesi në darkë me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit shqiptar.
“S’kemi pse etiketojmë çdokënd si i shitur dhe i blerë. Demokratët ta shohin kush rri me Olsi Ramën. Ju e dini që unë skam bërë kurrë asnjë akuzë që s’e kam provuar. Ky është diskutim që nëse do duhet të bëhet të bëhet në ambientet e partisë demokratike. Kush do të vijë atje dhe ta pranojë. Çoni një kamera atje dhe pyesni banorët se kush banon në këtë vilë. I njëjti që ka këtë vilë rri me Olsi Ramën, nga mëngjesi deri në darkë. Ju mund të vërtetoni se kush është poseduesi i kësaj vile. Kjo s’është çështje emrash. Ka dhe të tjerë po nuk është ky thelbi i diskutimit”, tha Bardhi .
Përsa i përket deklaratave të Tritan Shehut, ku ky i fundit i kërkoi Bardhit të shkonte në prokurori nëse ka prova për vilën në Lalz, Bardhi i kujtoi Shehut akuzat e Halim Kosovës, i cili e akuzonte ish-ministrin e Shëndetësisë se i kishte ndërhyrë në një tender me vlerë 100 mijë euro, por që kërkonte t’ia jepte dikujt tjetër për 600 mijë euro.
“Së pari unë çfarë kam patur për të thënë e kam thënë. Kam dëgjuar një koleg që do duhet të më thërrasë, prokuroria, jam i gatshëm të shkoj. Halim Kosova ka akuzuar Tritan Shehun që zoti Shehu i ka ndërhyrë që një tender që ka kushtuar 100 mijë euro t’ia jepte një tjetri për 600 mijë euro. Do të doja që të njëjtin qëndrim zoti Shehu të kishte dhe për këtë akuzë”, u shpreh ai.